Pejanët e fituan titullin e tetë radhazi dhe Kupën, skuadrat dhe Kombëtarja dëshpëruan në Evropë
Besa Famgas e dominoi hendbollin kosovar edhe në vitin 2021.
Pejanët në fakt e siguruan titullin e tetë radhazi, respekivisht të 17-tin në histori.
Ekipi nga Rrafshi i Dukagjinit e mundi pa problem Prishtinën në dy ndeshje finale, për t’u stolisur me titull të kampionit.
Pejanët më pas e fituan edhe Kupën e Kosovës, ku në finale e mundën përsëri Prishtinën, 38:29.
Kampioni kosovar më pas bëri paraqitje pozitive edhe në garat evropiane.
Në rundin e dytë të EHF European Cup, Besa e eliminoi ekipin serb nga Bosnja, Borac.
Pejanët e kishin humbur ndeshjen e parë në Banja Llukë, ku ishin fyer në baza nacionaliste.
Por, kishin përmbysur gjithçka në ndeshjen e kthimit.
Në rrethin e tretë, skuadra kosovar u ballafaqua me ekipin rumun, AHC Potaissa Turda.
Besa e fitoi lojën e parë 30:28, por u mund në atë të dytë, 26:29.
Pra, për një gol pejanët i dhanë fund eksperiencës evropiane.
E skuadrat tjera të meshkujve u eliminuan në rrethin e parë.
Trepça i dha fund eksperiencës evropiane pasi u mposht nga ekipi Holon Yuvalim HC.
Izraelitët i fituan të dyja ballafaqimet me mitrovicsit, 29:22 si mysafirë dhe 37:25 në shtëpi.
Edhe Vëllaznimi u eliminua në rrethin e parë të kësaj gare.
Gjakovarët u treguan të pafuqishëm përballë skuadrës luksemburgase, Handball Kaerjeng.
Kuqezinjtë e humbën lojën e parë, 23:32 e atë të dytë, 26:36.
Edhe në konkurrencën e femrave, ekipet kosovare u eliminuan menjëherë.
Bëhet fjalë për Vushtrrinë, Istogun, Prishtinën dhe Ferizajn.
Sa i përket ekipit kombëtar, gjatë vitit 2021 Kosova luajti fillimisht në fazën e dytë kualifikuese të Evropianit 2022.
“Dardanët” e mbyllën Grupin 8 në vendin e parafundit, pra atë të tretë me vetëm tri pikë.
Ata nga 6 ndeshje të zhvilluara i patën 1 fitore, 1 barazim e 4 humbje.
Kosova të tria pikët i fitoi ndaj Rumanisë.
Në Grup me Kosovën ishin edhe Suedia e Mali i Zi.
E në pjesën e dytë të vitit, Kosova e gjen veten në vendin e fundit të fazës së parë kualifikuese të Botërorit 2023.
“Dardanët” janë mposhtur nga Turqia në ndeshjen e parë në nëntor me rezultat 23:25.
Ndërsa, në duelin e dytë barazuan me Belgjikën, 28:28.
Në Grupin 1 gjendet edhe Greqia, me të cilën Kosova do të ballafaqohet më 5 janar të vitit të ri.








