Sonte prej orës 20:10 në televizionin T7 do të transmetohet emisioni sportiv, “Favorit”, i cili do t’i kushtohet Lojërave Olimpike të cilat u shtynë për vitin e ardhshëm shkaku i epidemisë COVID-19.
Vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe ndikimi i këtij vendimi në ekipin olimpik të Kosovës do të diskutohet me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasanin, i cili do të tregojë se sa sportistë kosovarë do të shkojnë në Olimpiadë. Ndërsa, do të flas edhe për situatën e krijuar në sportin kosovar nga koronavirusi.
Në “Favorit” i ftuar është edhe trajneri kampion i Kosovës, Driton Kuka, i cili do të flas për shtyrjen e Olimpiadës dhe do të rrëfehet për ditët që po i kalon në karantinë shkaku i koronavirusit bashkë me Majlinda Kelmendin dhe xhudistët e xhudistët të ekipit kosovar.
Kuka do t’i zbulojë kushtet në të cilat po punon me garueset e tij dhe do të flas për qendrën nacionale e cila ende nuk është ndërtuar përkundër pritjeve të gjata tashmë.
Ai do të flas edhe për shtatoren e Majlinda Kelmendit të vendosur në Pejë dhe do të tregojë se kush e pengoi ndërtimin e shtatores së kampiones olimpike në kryeqytet.
Ndërsa, në “Favorit” nga karantina do të paraqitet edhe Majlinda Kelmendi. Kampionia absolute do ta tregojë gjendjen e saj fizike dhe do të rrëfehet për ditët e kaluara në karantinë, larg familjes.
Po ashtu, Majlinda do të tregojë se kur e planifikon pensionimin nga xhudo aktive dhe planet e saj pas pensionimit. Do të tregojë nëse planifikon apo jo të angazhohet në politikë. Ajo do të pyetet nëse shtatorja e saj e vendosur në Pejë i ngjan asaj, apo ka ndonjë vërejtje.
Natyrisht se do ta jap parashikimin e saj nëse do të mund ta fitojë medaljen e dytë olimpike në karrierën e saj. “Favorit” përpos televizionit T7 do të transmetohet edhe në Gjirafa Video dhe në faqet zyrtare në Facebook: “T7”, “Gazeta Express” dhe “Gazeta Express Sport”.








