Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka mbështetur idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e një gjykate të veçantë që do të hetonte dhe gjykonte vrasjet e civilëve boshnjakë nga snajperistët gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Duke komentuar deklaratat e Kurtit, Biserko theksoi se, edhe pse gjasat për krijimin e një tribunali të ri ndërkombëtar janë të vogla, vetë ideja ka rëndësi të madhe politike dhe morale.
"Mendoj se gjasat për krijimin e një tribunali të ri ndërkombëtar janë të vogla, por vetë ideja e kryeministrit të Kosovës, është domethënëse sepse tregon se lufta e viteve ’90 nuk është përfunduar shoqërisht", tha ajo.
Ajo rikujtoi se Tribunali i Hagës ka përfunduar proceset që lidhen kryesisht me përgjegjësinë komanduese, por shumë raste individuale, përfshirë vrasjet nga snajperistët gjatë rrethimit të Sarajevës, nuk kanë marrë epilog të plotë gjyqësor.
"Për këtë arsye “Sarajevo Safari”, Eduard Limonov, snajperistët dhe të tjerët vazhdojnë të rikthehen në hapësirën publike. Thjesht, kujtesa për ato krime është ende e gjallë", ths Biserko.
Biserko: Shesheli zbuloi praninë e Vuçiqit te Varrezat Hebraike – presidenti serb nuk mund t’i ikë përgjegjësisë morale për “Sarajevo safari”
Pak ditë pasi gazeta prestigjioze amerikane “The Times” ka vazhduar të hetojë rrëfimin për “Sarajevo safari”, duke cituar disa dëshmitarë sipas të cilëve, në fillim të viteve ’90, një rumune e pasur e paidentifikuar kishte vrarë me snajper dhjetë qytetarë të Sarajevës, gjatë rrethimit pothuajse katërvjeçar të qytetit nga forcat serbe të Bosnjës.
Sonja Biserko, thotë se nuk është e befasuar që kjo histori po rikthehet në vëmendje pas tri dekadash.
Biserko vlerëson se hapja e çështjeve si “Sarajevo safari” tregon se e kaluara nuk është mbyllur dhe se kujtesa për krimet mbetet e gjallë, ndërsa shoqëritë e rajonit vazhdojnë të përballen me trashëgiminë e dhunës së viteve ’90.
“Rrethimi i Sarajevës nuk ishte vetëm një operacion ushtarak, por një proces i shembjes së plotë morale, në të cilin vrasja e civilëve u normalizua. Nëse akuzat për ‘Sarajevo safarin’ rezultojnë të sakta, kjo nuk do të jetë vetëm një krim lufte, por edhe dëshmi e një dehumanizimi që tejkalon ideologjinë, kombin dhe ushtrinë, dhe hyn në sferën e kulturës së dhunës”, thekson Biserko per Slobodna Bosna.
Sipas saj, kjo çështje po hapet tani jo sepse faktet nuk kanë qenë të njohura, por sepse shoqëritë vetëm tani janë të gatshme të përballen me to.
“Për këtë ngjarje flitet vetëm pas tridhjetë vjetësh jo sepse faktet nuk kanë qenë të njohura, por sepse shoqëritë vetëm tani po bëhen të gatshme të pranojnë atë që më parë nuk mund ta përballonin.”
E pyetur për deklaratat kontradiktore të Vojislav Sheshelit lidhur me rrethimin e Sarajevës dhe pretendimet për të shtënat nga Varrezat Hebraike, Biserko thekson se ai bën pjesë në kategorinë e dëshmitarëve të “pasigurt”, por me njohuri të brendshme.
“Shesheli disponon informacione reale, por motivi i tij është para së gjithash interesi politik, jo kërkimi i së vërtetës. Për këtë arsye, deklaratat e tij kanë vlerë vetëm në kontekstin në të cilin janë dhënë.”
Ajo kujton se gjatë gjykimit në Hagë, sjellja e tij kishte për qëllim diskreditimin e gjykatës dhe dëshmitarëve.
“Deklaratat e tij lëviznin mes mburrjes dhe mohimit të mëvonshëm, gjë që tregon se pas propagandës ndoshta fshihej një përvojë reale e dhunës.”
Lidhur me mohimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për çdo përfshirje në “Sarajevo safari”, Biserko shprehet:
“Aktualisht nuk ekzistojnë prova publike dhe juridikisht të qëndrueshme që Aleksandar Vuçiç ka qenë personalisht i përfshirë në ‘Sarajevo safari’. Në këtë kuptim, mohimi i tij ka peshë juridike: përgjegjësia nuk supozohet, por provohet.”
Megjithatë, ajo shton se prania e tij në Varrezat Hebraike gjatë rrethimit e bën atë një figurë relevante të asaj kohe.
“Fakti që ai ishte në vendin e krimit ka peshë të madhe morale, ndërsa mohimi i tij nuk e mbyll debatin legjitim mbi përgjegjësinë politike dhe trashëgiminë e politikave të asaj periudhe.”
Biserko thotë se nuk pret që gjykatat serbe të merren me çështjen e përfshirjes se Vuciqit në safarin njerëzor.
“30 vjet pas krimeve, është jashtëzakonisht e vështirë të provohet balistika dhe identiteti i autorëve, nuk pres që gjykatat në Serbi të ndërmarrin hapa konkretë”, shtoi jo.
Ajo foli edhe për rënien e presidentit serb, karshi ndërkombëtarëve.
Sipas Biserkos, Vuçiqi ka humbur kapital politik në arenën ndërkombëtare. “Manipulimet, mesazhet kontradiktore dhe shmangia sistematike e një orientimi të qartë gjeopolitik kanë çuar në humbje të besimit. Pa besim, politika transaksionale pushon së funksionuari.”
Ajo shton se edhe pse Vuçiqi përpiqet të balancojë mes Uashingtonit, Moskës dhe Brukselit, “treguesit janë se si Rusia ashtu edhe Perëndimi e shohin si një figurë të konsumueshme.”








