Deputetët e Parlamentit Kroat diskutuan të martën mbi raportimet për raketat hipersonike serbe. Ivica Baksa nga NPS, deklaroi se është e vështirë të flitet për paqe ndërkohë që përmenden projekte raketash hipersonike dhe sulme të supozuara, ndërsa raketat quhen në mënyrë kolokuiale “Zagrepcanka”.
Baksa theksoi se retorika politike e tillë është “e zbrazët, e shpifur dhe e neveritshme” dhe e përdorur për marketing politik, duke ftuar për qetësim të tensioneve dhe fokus në problemet konkrete të qytetarëve.
Ai kritikoi gjithashtu retorikën e presidentit serb, Aleksandar Vuciq, duke e cilësuar si teatër politik për të krijuar përshtypjen e një krize të re sigurie në rajon përpara zgjedhjeve dhe për të mbuluar problemet e brendshme politike. Baksa theksoi se mijëra qytetarë serbë punojnë dhe jetojnë në Kroaci dhe se marrëdhëniet normale ndërmjet popujve vazhdojnë pavarësisht fjalimeve provokuese.
Deputeti Nino Raspudiq nga Klubi i Deputetëve të Pavarur vuri në dukje blerjen e raketave supersonike kineze nga Serbia dhe tha se Kroacia nuk kishte informacion të plotë mbi këtë blerje, duke krijuar një “skandal të madh”. Ai kërkoi që të sqarohet nëse raketat janë të vërteta apo maketa dhe të merret informacion nga ambasada kineze në Zagreb.
Nga ana tjetër, deputeti i partisë Most, Nikola Grmoja, kërkoi që Serbia të vendoset “në vendin e vet” duke përdorur mekanizmat e BE-së dhe NATO-s, ndërsa akuzoi qeverinë kroate për “shtrimin e tapetit të kuq” presidentit serb në Dubrovnik.
HDZ-ja dhe kryetari i Parlamentit Gordan Jandrokoviq apeluan që debatet të mos shndërrohen në spektakël politik, duke theksuar rëndësinë e seriozitetit dhe përgjegjësisë për çështjet ndërkombëtare.
Deputeti Ivica Kukavica tha se ka forca politike që synojnë destabilizimin e Kroacisë, duke përmendur deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Serbisë që Kroacinë e konsideron si “vend të rrezikshëm”. Ndërsa Anja shimpraga (Klubi SDSS) theksoi se qytetarët e të dy vendeve dëshirojnë të njëjtën gjë: paqe, siguri dhe punë, duke kërkuar politikë që ndërton ura dhe jo “gropë të reja” midis popujve.








