Anthony Joshua po vazhdon të zhvillojë përgatitje intensive për meçin e tij të radhës që do ta zhvillojë më 20 gusht. Boksieri britanik do ta zhvillojë rimeçin e madh kundër boksierit të famshëm ukrainas, Oleksandr Usyk, i cili në vitin e kaluar e kishte mposhtur Joshuan duke fituar titujt e unifikuar botërorë IBF, WBO dhe WBA, në peshat e rënda, shkruan Gazeta Express.
E tani kur po bëhet gati një vit nga ajo humbje, Joshua po ushtron shumë për t’iu revanshuar ukrainasit.
E në këto përgatitje të britanikut po kontribuon edhe një shqiptar. Bëhet fjalë për boksierin e njohur Agron Smakiçi, i cili tashmë ndodhet në kampin stërvitor të boksierit britanik në Britaninë e Madhe. Madje, Smakiçi është bërë thuajse partneri kryesor i Joshuas pasi si boksier profesionist ai i ka disa ngjashmëri me kundërshtarin ukrainas të Joshuas, Oleksandr Usyk.
Smakiçi, 32-vjeç, në një bisedë me Gazetën Express ka folur rreth kësaj eksperience me boksierin e famshëm botëror.
“Kam qenë te Dillian Whyte, që boksoi me Tyson Furyn. Atje kam ushtruar me Dillian Whyte. Joshua më ka parë. E ka këqyr atje te ‘boxing’, ku jam numër 50-të në botë. E ka pa që jam majtak sikur Usyk, më ka shkruar që të vij në Britani me ushtruar me Joshuan, me i ndihmuar për meçin ndaj Usyk”, thotë Smakiçi.

Boksieri Smakiçi është nga Kosova, respektivisht me origjinë nga Drenica, por ka shtetësi të Kroacisë, ku edhe është lindur. Ndërsa, përpos Zagrebit, ai jeton edhe në Hamburg të Gjermanisë. I pyetur nëse ka pasur rast të zhvillojë biseda rreth jetës personale me Joshuan, ai tha se e ka bërë një gjë të tillë. Madje, Smakiçi theksoi se Joshua tashmë din diçka rreth Kosovës.
“Po, ne kemi zhvilluar edhe biseda të ndryshme, natyrisht edhe për Kosovën. Me të kemi folur qysh nga Kosova kanë dalë boksierë të mëdhenj në të kaluarën, por edhe në sporte tjera luftarake, si në mundje”, tregoi Smakiçi në bisedë me Gazetën Express.

Smakiçi merret me boks qe 17 vjet. Me këtë sport kishte filluar të merrej në moshën 15-vjeç.

Boksieri tani 32 vjeç në boksin profesionist i ka zhvilluar 19 meçe, ndërsa i ka fituar 18 dhe e ka pësuar vetëm 1 humbje. Herën e fundit ai ka boksuar më 26 mars duke e mundur Lenroy Tomasin me nokaut. Ëndrra e madhe vazhdon ta përcjell: “Me qenë kampion i botës”, përfundoi Smakiçi. /GazetaExpress








