Presidentja Vjosa Osmani, në një deklarim para gazetarëve në Forumin Ekonomik në Davos ku shkoi për nënshkrimin e Kartës së Bordit të Paqes, tha se Kosova do të ndihmojë me përvojën e saj në ndërtimin e paqes e të shtetit.
Ajo tha se modeli i ndjekur nga Kosova duhet të ndahet dhe se për këtë Kosova është nga shembuj e “shkëlqyer”.
“Ne duam t’i mbështesim Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera të përfshira në Bordin e Paqes. Kosova ka më shumë se 20 vjet përvojë se si të ndërtohet paqja dhe të ruhet ajo dhe njëkohësisht ndërtimin e shtetit, duke u bërë një nga shtetet më të sigurta dhe të begata në rajon. Dhe mendoj se ky shembull duhet të ndahet sepse - siç e tha edhe Z. Kushner -gjithçka lidhet me praktikën. Dhe mendoj se Kosova është nga shembujt që kanë shkëlqyer në praktikë se si duhet ndërtuar dhe ruajtur paqja”.
Osmani sot nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes krahas disa liderëve që janë shtete themeluese.
Bordi synon zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare dhe si mekanizëm është pjesë e planit 20-pikësh të presidentit Trump për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza./Express/








