Në muajin Shtator 2019 u raportua se kanë ndodhur 3 vjedhje dhe një tentim vjedhje në restorantet e KFC. Kjo dukuri u rishfaq përsëri dje, me datë 11 Dhjetor 2019 në dyqanin e JYSK në Prishtinë dhe me 12 Dhjetor 2019 në restorantin e KFC në Prishtinë (afër lagjes Marigona).
Raste të vjedhjeve dhe tentim vjedhjeve ka pasur edhe më herët, mirëpo kohën e fundit kjo dukuri negative është me intensitet shumë të lartë.
“Për të gjitha këto vjedhje është lajmëruar Policia Rajonale e Kosovës të secilit qytet përkatës, ku kanë hapur hetime, mirëpo ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, përderisa vjedhjet kanë vazhduar edhe pas rastit të parë. Për fat të keq, këto plaçkitje të cilat konsiderohen kërcënim për biznesin dhe shoqërinë, kanë arritur përmasa alarmuese”, thuhet ne njoftimin e KFC dhe JYSK.
Shqetësimi për këtë çështje konsiderohet jo vetëm goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, por cenon sigurinë e më shumë se 500 punëtorëve të cilët japin kontributin e tyre në këto kompani dhe vullnetin e njerëzve që janë të gatshëm të investojnë në këtë vend.
“Vjedhjet në restorantet e KFC-së dhe dyqanet e JYSK, jo vetëm që po krijojnë një mjedis të pasigurt në sytë e qytetarëve, por po krijojnë një bindje pasigurie dhe ndjesi vetmie, pa mbështetje nga institucionet dhe personat kompetent. Nga ana tjetër, në sytë e investitorëve të huaj, këto plaçkitje po japin një bindje të paqëndrueshmërisë së rendit dhe sigurisë publike të vendit tonë, që do të thotë se dëmi më i madh po u shkaktohet shtetit të Kosovës, qytetarëve të saj, dhe bizneseve”, thuhet me tej ne reagimin e KFC dhe Jysk.








