Besarta Breznica, zyrtare e programit për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), tha se institucionet tona nuk po bëjnë mjaftueshëm në mbrojtje të viktimave.
“Viktimat e rasteve të dhunës në baza gjinore nuk ndihen në institucionet tona përderisa nuk kanë një përfaqësues apo monitorues nga organizatat e shoqërisë civile. Këtë më vjen keq shumë që e them, mirëpo institucionet tona nuk janë mjaftueshëm në besim dhe mbrojtje të viktimave tona”, tha Breznica në “Tempus“.
Më tutje, Breznica shtoi se në raportin e RrGK-së të publikuar vitin e kaluar, rezulton se zyrtarët e Agjencisë nuk kanë shumë njohuri për format e dhunës me të cilat ballafaqohen gratë.
“Rrjeti i Grave të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar ka publikuar raportin e fundit “Zero tolerancë”- që është monitorim i institucioneve ndaj përgjigjes ndaj dhunës në baza gjinore. Padyshim që edhe Agjencia për Ndihmë Juridike ka qenë e intervistuar gjatë këtij hulumtimi dhe fatkeqësisht shumica e zyrtarëve të Agjencisë kanë njohuri vetëm për dhunën në familje, mirëpo jo për forma të tjera të dhunës që gratë ballafaqohen”, shtoi Breznica.








