Mesfushori i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, thotë se klubi anglez ka ende shumë besim në aftësitë e Paul Pogbas, përderisa portugezi beson se mesfushori francez është trajtuar padrejtësisht që nga kthimi i tij në klub.
Paul Pogba u kthye në Old Trafford, ku e kishte filluar karrierën si profesionist, nga Juventusi për 89 milionë funte në verën e vitit 2016, pasi e kishte fituar statusin si njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë gjatë periudhës katërvjeçare të tij në Allianz Stadium, transmeton Gazeta Express.
Ai ka shfaqur shpeshherë pjesë të asaj forme edhe në Mançester, mirëpo më shumë është diskutuar për sjelljen e tij. 27-vjeçari fillimisht cilësohej futbollisti që do ta kthente lavdinë në Old Trafford pas katër vjetëve pa titull të Premierligës, mirëpo ai ka arritur ta fitojë vetëm trofeun e Kupës së Ligës dhe atë të Ligës së Evropës që kur është kthyer.
Pogba e shprehu dëshirën e tij për ta nisur një sfidë të re në karrierën e tij në fund të sezonit të sezonit, mirëpo Ole Gunnar Solskjaer në fund arriti ta bindë atë të qëndrojë në Teatrin e Ëndrrave të paktën edhe për një vit tjetër.
Megjithatë, një lëndim në kyçin e këmbës ia ka pamundësuar yllit francez të kontribuojë aq sa të donte ai gjatë sezonit 2019/20, përderisa spekulimet për të ardhmen e tij vazhdojnë të intensifikohen tani që jemi afër afatit kalimtar të verës.
Manchester Unitedit i mungonte kreativiteti në mesfushë në ndeshjet pa Pogban dhe kjo bëri që Solskjaer ta blejë Fernandesin nga Sportingu për 55 milionë euro gjatë afatit kalimtar të janarit.
Që nga atëherë, ylli portugez ka arritur t’i bindë tifozët me paraqitjet e tij, përderisa këta të fundit kanë filluar të ëndërrojnë për një partneritet në mesfushë mes portugezit dhe Pogbas, përkundër që francezi vazhdon të ngjallë interesim te Juventusi dhe Real Madridi.
Megjithatë, Fernandes ka insistuar se Pogba është detyruar të përballojë presion të madh që kur është kthyer në Old Trafford, përderisa beson se ai ka ende shumë për të treguar.
“Jam shumë, shumë i emocionuar të luaj me Pogban. Mendoj se ne kemi shumë lojtarë të mirë në repartin e mesfushës. Natyrisht, Paul ka qenë i lënduar që një kohë të gjatë dhe ne të gjithë e dimë se ai ka shumë cilësi”, ka thënë Fernandes.
“Ne mund të themi se në futboll, kur e bën një gabim, njerëzit harrojnë çfarë ke bërë mirë. Ti mund të luash mirë në 34 ndeshje dhe pastaj njerëzit do ta kuptojnë atë ndeshjen e vetme që e ke luajtur keq”.
“Paul po vjen nga një moment i keq, shkaku i situatës. Kur ai luante, klubi dhe skuadra nuk ishte mirë sepse pritshmëritë janë shumë të larta për Paulin, pasi që ai është një top lojtar dhe Manchester Unitedi pagoi shumë për të, kështu që pritshmëritë ishin shumë të larta”,
“Është normale që kur të jesh në një situatë të atillë të mos luash si superyll, pasi që të gjithë presin nga Paul po aq sa presin nga Cristiano Ronaldo në Juventusi apo Lionel Messi në Barcelonë”,
“Të gjithë presin kaq shumë nga Pauli në Manchester sepse ata e dinë se Pauli i ka cilësitë për t’i bërë ato gjëra. Ata kanë shumë besim te ai. Edhe skuadra, edhe ne kemi shumë besim te Pauli”. /Gazeta Express/








