Mesfushori Bruno Fernandes beson se forma e mirë e kohëve të fundit e Manchester Unitedi nuk është vetëm meritë e tij, mirëpo shton se është i kënaqur që është në Old Trafford dhe thotë se vendimi për t’i zgjedhur Djajtë e Kuq në janar ishte i lehtë.
Pas spekulimeve të shumta për të ardhmen e Bruno Fernandesit, mesfushori portugez u transferua në Old Trafford për 55 milionë euro gjatë afatit kalimtar të janarit, transmeton Gazeta Express.
Djajtë e Kuq ishin të bindur se ata po e merrnin një futbollist që mund të përshtatej menjëherë me skuadrën në “Teatrin e Ëndrrave” dhe që mund ta zëvendësojë në mesfushë Paul Pogban e lënduar.
Që nga transferimi i tij, Manchester Unitedi ka qenë në formë të mirë, mirëpo 35-vjeçari nuk dëshiron t’i marrë meritat vetëm për vete.
“Vendimi ishte i lehtë sepse kur m’u dha mundësia të vij këtu, as që mendova dy herë. Ne jemi shumë të uritur për fitore, për të dhënë gjithçka nga vetja, për t’u përmirësuar vazhdimisht. Gjatë muajit të fundit kemi qenë shumë të mirë dhe mendoj se ne mund të flasim për fillimin e ri pas Bruno, por s’ka të bëjë vetëm me Brunon, por me të gjithë skuadrën”, ka thënë Fernandes.
“Ekipit i duhet përqendrimi i duhur, vendimet e duhura në momentin e duhur dhe mendoj se ekipi do të fitonte njëjtë edhe pa mua sepse një lojtar i vetëm s’mund ta ndryshojë skuadrën”.
“Një skuadër ndryshon kur të gjithë shtyjnë së bashku drejt të njëjtit qëllim. Kur unë erdha, e pashë një skuadër që po shtynte drejt një qëllimi të vetëm dhe donte të fitonte ndeshje, të përmirësohej dhe unë jam vetëm një lojtar tjetër po ndihmoj në këtë qëllim”. /Gazeta Express/








