Michael Carrick duket se e ka gjetur çelësin e duhur në krye të Manchester United.
Pas një periudhe të vështirë dhe rezultateve zhgënjyese, dy fitoret e fundit e kanë ndryshuar ndjeshëm atmosferën rreth klubit dhe e kanë rikthyer shpresën te tifozët.
Skuadra ka treguar reagim të fortë, duke i marrë dy suksese shumë të rëndësishme ndaj rivalëve direktë.
Fitorja në derbin e qytetit ndaj Manchester Cityt dhe triumfi spektakolar kundër Arsenalit kanë dëshmuar një United më të organizuar, më të disiplinuar taktikisht dhe me më shumë besim në lojë, përcjell “Gazeta Express”.
Nën drejtimin e Carrick, ekipi ka shfaqur përmirësime të dukshme në mbrojtje dhe në ndërtimin e aksioneve, ndërsa disa lojtarë kyç kanë marrë rol protagonist, duke e bërë diferencën në momentet vendimtare të ndeshjeve.
Këto rezultate nuk janë vetëm të rëndësishme për moralin, por edhe për objektivat sezonalë.
Manchester United është rikthyer në garë për zonën evropiane, duke ia dhënë sezonit një drejtim më pozitiv pas një fillimi të paqëndrueshëm.
Megjithatë, Carrick mbetet i kujdesshëm. Trajneri thekson se skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe ta vazhdojë punën me përqendrim maksimal, pa u “dehur” nga rezultatet e fundit.
Sfida e vërtetë, sipas tij, është ruajtja e vazhdimësisë.
Dy fitoret kanë qenë një sinjal i fortë: Manchester United është ende gjallë dhe, me këtë qasje, mund ta ndërtojë një fund sezoni shumë më dinjitoz. /Gazeta Express








