Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, i kontrolluar nga republikanët, ka miratuar një deklaratë akuze ndaj ish-presidentit Bill Clinton dhe ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton, duke i akuzuar për shpërfillje të Kongresit, për shkak të refuzimit të tyre për të dëshmuar në hetimin që lidhet me çështjen Jeffrey Epstein.
Komisioni i Mbikëqyrjes ka aprovuar masën me një votim bipartisan, duke hapur rrugën për një votim të mundshëm në sallën plenare të Dhomës së Përfaqësuesve. Çështja ka shkaktuar përçarje edhe brenda Partisë Demokratike: një pjesë e demokratëve kërkon transparencë të plotë mbi hetimin e financierit të ndjerë, i akuzuar për pedofili dhe i gjetur i vdekur në burg në vitin 2019, ndërsa të tjerë shprehin shqetësimin se Bill dhe Hillary Clinton mund të gjenden politikisht si fajtorë, në një rast ku opozita pretendon se edhe presidenti Donald Trump ka qenë i përfshirë.
Rezoluta konsiderohet si një hap i parë drejt një veprimi të mundshëm penal nga ana e Departamentit të Drejtësisë. Nëse një procedurë e tillë do të ndiqej deri në fund dhe do të kishte sukses, ajo mund të sillte pasoja të rënda ligjore për ish-çiftin presidencial.
Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes, deputeti republikan James Comer, ka deklaruar se Clintonët iu përgjigjën thirrjes së Kongresit “jo me bashkëpunim, por me kundërshtim”. “Thirrjet për t’u paraqitur përpara Kongresit nuk janë sugjerime, ato kanë fuqi ligjore dhe duhet të respektohen”, tha Comer.
Nga ana e tij, ish-presidenti Bill Clinton ka pohuar se e ka ndërprerë çdo marrëdhënie me Jeffrey Epstein, sapo ky i fundit u akuzua për krime seksuale. Ai e konsideron thirrjen për të dëshmuar të pajustifikuar dhe të paligjshme, duke argumentuar se as ai dhe as bashkëshortja e tij nuk janë akuzuar për ndonjë shkelje ligjore. Megjithatë, pavarësisht përplasjes me komisionin, burime pranë Clintonëve bëjnë të ditur se ata po shqyrtojnë mundësinë për të dëshmuar, me synimin për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit politik dhe ligjor.
Edhe vetë republikanët shfaqen të hapur për një kompromis, pasi miratimi përfundimtar i akuzave për shpërfillje të Kongresit kërkon shumicën e votave, ndërkohë që Partia Republikane ka pasur vështirësi në ruajtjen e unitetit të saj. James Comer ka refuzuar për momentin një propozim të paraqitur nga avokati i Clintonëve, i cili parashikonte dëgjimin e ish-presidentit në Nju Jork, në një takim ku do të merrnin pjesë edhe vetë Comer dhe përfaqësuesi më i lartë demokrat në komision, Robert Garcia, deputet nga Kalifornia.
Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me mënyrën e regjistrimit të dëshmive. Comer ka kërkuar që deklaratat të transkriptohen fjalë për fjalë, një praktikë që, sipas kritikëve, mund të përdoret për publikimin selektiv të pjesëve të dëshmisë. Nga ana tjetër, rasti i Clintonëve mund të vërë në siklet edhe republikanët, pasi gjatë hetimit të ngjarjeve të 6 janarit, në mandatin e kaluar, presidenti Donald Trump ishte thirrur për të dëshmuar, por kishte refuzuar, ndërsa republikanët e kishin cilësuar këtë si një të drejtë të tij.
Ndërkohë, Komisioni i Mbikëqyrjes ka thirrur për dëshmi edhe Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtoren e ngushtë të Jeffrey Epstein, ndërsa Komisioni i Drejtësisë ka caktuar për muajin shkurt një seancë dëgjimore me Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, e akuzuar për vonesa në publikimin e plotë të dosjeve që lidhen me çështjen Epstein./La Republica








