Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, teksa ka folur për mundësinë që Vetëvendosja të propozojë sot Vjosa Osmanin për kryetare të Kuvendit, ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme për deputetët e LDK-së dhe gjithashtu edhe për Vjosa Osmanin, shkruan Gazeta Express
Mustafa thotë se LDK-ja përderisa nuk është arritur një marrëveshje koalicioni me partinë e Kurtit, mund të votojë vetëm një kandidat të LV-së për kryetar të Kuvendit.
Siç është shprehur ish-kryeministri, LDK-ja kandidatët e vet i propozon vetë, ndërkohë i ka bërë thirrje LV-së që të qëndrojë sa më larg LDK-së dhe të sillen si partner.
“Ata kanë të drejtë ta propozojnë kë të dojnë. Por edhe LDK-ja ka qëndrimin e vet dhe ne nuk dëshirojmë që të hyjmë në relacione të koalicionit, përmes një propozimi që e bëjnë ata për një kandidat tonë. Një gjë të tillë besoj që s’do ta pranojë as vetë znj. Osmani dhe as deputetët e LDK-së. Ne votojmë vetëm nëse ata propozojnë kandidat të tyre, sepse ne kandidatët tanë i propozojmë vetë. Dhe ata s’munden me marrë rolin e LDK-së. E kam pa që kanë dëshirë të përzihen në punët tona të brendshme. Por ne u themi rrini larg LDK-së dhe silluni si partner. Ne nuk lejojmë që ata të na caktojnë kuadrat. Ne kemi vlerësim edhe për znj. Osmani, por këto çështje nuk bëhen ashtu”, është shprehur Isa Mustafa. /GazetaExpress/








