Për gati dy muaj Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë negociuar në përpjekje për arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje.
Gazeta Express
Fillimisht kishin përmbyllur me sukses fazën e diskutimeve për bashkërendimin e programit politik, ndërkohë kishin ngecur në procesin e ndarjes së përgjegjësive.
Versioni i shumë diskutuar mes dy partnerëve që synonin të arrinin koalicion ishte ndarje barabartë e ministrive (5+5), Lëvizja Vetëvendosje merrte kryeministrin, ndërkohë LDK përveç kryetarit të Kuvendit kërkonte edhe postin e presidentit.
Kërkesa e LDK’së për të propozuar emrin për president dhe mbështetja që kërkonte nga VV, ka bërë që dy partitë të shkojnë në seancën konstituive të 26 dhjetorit pa marrëveshje për bashkëqeverisje.
E rrjedhat në seancën konstituive dhe zgjedhja e Glauk Konjufcës në postin e kryetarit të Kuvendit kanë prishur gjithë mozaikun dhe parashikimet për një marrëveshje të mundshme, duke e lënë tashmë situatën në rrethana plotësisht të paqarta.
Megjithatë Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën e sotme i është përmbajtur vullnetit të dalë nga mbledhja e kryesisë së partisë, dhe kanë votuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet edhe përkundër faktit se s’kanë arritur kurrfarë marrëveshje për bashkëqeverisje.
Por çfarë do të thotë tashmë një qasje e tillë e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi Vetëvendosjes.
Ky vendim i LDK’së ka hapur rrugë për skenarë të ndryshëm që janë zgjedhjet e reja apo negociata të reja më Kurtin.
I pari skenar nëse nuk arrihet kurrfarë marrëveshje LDK-VV dhe nëse Kurti nuk bën marrëveshje me ndonjë prej partive tjera, janë zgjedhjet e reja.
E nëse palët do të provojnë të arrijnë përsëri një marrëveshje, atëherë do të duhet të fillojnë një fazë të re të negociatave ku do të duhet të diskutojnë nga fillimi për ndarjen e përgjegjësive, duke qenë se sipas diskutimeve paraprake ishte thënë që kryetari i Kuvendit do të jetë nga radhët e LDK’së.
Tashmë mbetet të shihet nëse LDK do të kërkojë ndonjë ministri më tepër si zëvendësim për pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetari të parë, apo do të pajtohen që LDK të marrë pesë ministri dhe presidentin, ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje të marrë kryeministrin, pesë ministri dhe kryetarin e Kuvendit.
I gjithë skenari mund të përmbyset në rast se Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për marrëveshjen paraprake. Në atë rast Glauk Konjfuca të japë dorëheqje. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës me 2/3 e vota në Kuvend mund të ndryshohet kryetari i Kuvendit, edhe në rast se jep dorëheqje por edhe në rast se merret vendim të shkarkohet. E një gjë e tillë vështirë të ndodhë, duke qenë se VV është e vështirë të futet në pazare të tilla dhe partitë opozitare vështirë se do t’i mbështesin dy partitë në një aventurë të tillë./GazetaExpress/








