Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dha dje disa sqarime mbi mënyrën se si po mendon përpara udhëtimit në Davos të Zvicrës, për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, ndërsa tensionet po rriten lidhur me përpjekjen e tij për ta marrë Grenlandën.
Trump tha se ka “shumë takime” të planifikuara gjatë ditëve në vijim për të diskutuar për Grenlandën, por se ato nuk do të përfshijnë një samit emergjent të Grupit të 7-shes të propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Çfarë tjetër tha Trump:
Taktika alternative: Trump sugjeroi se mund të përdorë mjete përtej tarifave për ta marrë Grenlandën, duke dhënë një paralajmërim të tërthortë ndërsa Gjykata e Lartë po shqyrton ligjshmërinë e veprimeve të tij tregtare. “Do ta merrni vesh”, u përgjigj Trump kur një gazetar e pyeti se deri ku do të ishte i gatshëm të shkonte për të siguruar kontrollin mbi ishullin arktik. Ai theksoi se tarifat mbeten ende qasja e tij e preferuar.
NATO: Trump tha se NATO “do të jetë shumë e kënaqur” me atë që ai do të arrijë lidhur me Grenlandën, pa dhënë hollësi. Kjo vjen pasi ai kishte hedhur dyshime nëse NATO do t’i dilte në mbrojtje SHBA-së dhe kishte pretenduar se ka bërë më shumë për aleancën sesa “çdo person tjetër”.
Trump minimizon rezistencën e Grenlandës: Trump sugjeroi gjithashtu se populli i Grenlandës do të jetë dakord që SHBA-ja ta marrë territorin arktik, pavarësisht se grenlandezët e kanë bërë të qartë se janë kundër këtij veprimi. “Nuk kam folur me ta. Kur të flas me ta, jam i sigurt se do të jenë të entuziazmuar”, tha ai.








