Pas disa raportimeve se Bernard Challandes mund të largohet nga Kombëtarja e Kosovës, vetë trajneri zviceran është deklaruar rreth së ardhmes së tij.
Pas sukseseve me Kombëtaren e Kosovës si kualifikimi në play-offs për Kampionatin Evropian, Bernard Challandes ka paralajmëruar se do ta vazhdojë kontratën me Federatën e Futbollit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Challandes ka qenë pjesë e “Dardanëve” që nga marsi i vitit 2018, kur kishte debutuar me tre fitore radhazi, kundër Madagaskarit, Burkina Faso e Shqipërisë. Që nga atëherë, ai ka qenë trajner i Kosovës në 20 ndeshje dhe ka rekord prej 11 fitoresh, pesë barazimesh dhe katër humbjeve.
“Sa u përket spekulimeve rreth vazhdimit të kontratës sime me FFK-në, dua ta bëj të qartë se qëllimi im është për ta vazhduar bashkëpunimin me FFK-në, siç jam i sigurtë se është edhe qëllimi i FFK-së”, ka thënë Challandes, raporton Gazeta Express.
“Problemi i vetëm aktualisht është situata me virusin dhe kur kjo të kaloj, jam i sigurt që do ta gjejmë një zgjidhje për këtë çështje”.
“Unë jam në kontakt me Federatën, me presidentin dhe ne i kemi idetë e njëjta për të vazhduar ta zhvillojmë ekipin kombëtar dhe ky fakt më bën optimist se ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë”.
“Unë jam i lumtur me ekipin, me projektin në të cilin jemi duke punuar e po ashtu edhe me detajet e tjera”.
“Prandaj siç e kam thënë në një intervistë në ZVicër, aktualisht ka prioritete të tjera për shkak të koronavirusit, kurse kjo kur ne do të jemi edhe më shumë të fokusuar për ta përgatitur ekipin edhe më mirë për dy ndeshjet e radhës”.
“Për fund, dua ta falënderoj presidentin dhe të gjithë Federatën për bashkëpunimin, trajtimin që ma bëjnë dhe organizimin profesional”.
Gazeta zvicerane Blick ia kushtoi sot një shkrim përzgjedhësit të Kosovës Challandes, me ç’rast ka folur edhe rreth të ardhmes së tij, pasi që ai ka kontratë me Dardanët deri në qershor.
“Challandes ka pasur një fushatë të suksesshme me Kosovën duke fituar 11 ndeshje, derisa ka pasur edhe pesë barazime në 20 ndeshje. Megjithatë kontrata e tij i skadon në qershor, deri më tani ka pasur pak sinjale se atij do t’i vazhdohet kontrata”, shkroi Blick. /Gazeta Express/








