Chelsea është detyruar të ndërprejë stërvitjet të enjten në qendrën stërvitore ‘Cobham’ për shkak të rrezikut nga koronavirusi.
Goal ka mësuar se futbollistët e Bluve u janë nënshtruar testeve një pas një për të evituar çdo rrezik të mundshëm nga virusi Covid-19 që po përhapet me shpejtësi nëpër botë dhe deri më tani ka marrë jetën e mijëra personave, ndërsa janë anuluar aktivitet të ndryshme.
Kështu siç qëndrojnë gjërat, Chelsea do të kthehet në stërvitje të premten, para ndeshjes me Aston Villën të shtunën që është planifikuar të luhet prapa dyerve të mbyllura.
Megjithatë, ashtu si Serie A, La Liga, NBA, Ligue, MLS e shumë kampionate tjera, mund të suspendohet edhe Premierliga.
Deri më tani, mbi 590 persona kanë dalë pozitiv me Covid-19 në Angli, derisa numri i të vdekurve ka shkuar në 10.
Covid-19 është shpallur zyrtarisht pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. /Gazeta Express/








