Mesfushori i Interit, Hakan Çalhanoğlu, vazhdon të jetë në radarët e Galatasarayt në vendlindjen e tij, Turqi, megjithatë deri më tani nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtare për dirigjentin e zikaltërve. Ja çfarë duhet të ndodhë nëse 31-vjeçari do të largohet nga “San Siro” gjatë këtij sezoni.
Çalhanoğlu, i cili ka kaluar tetë vitet e fundit në “San Siro” — fillimisht te Milani dhe katër sezonet e fundit te Interi — mund të përfundojë aventurën në Serie A këtë verë nëse mbërrin një ofertë e përshtatshme, sipas mediave italiane.
Galatasaray ka shprehur interes konkret për përfaqësuesin turk, ndërsa raportet e fundit thonë se ekipi i drejtuar nga Okan Buruk është i gatshëm t’i ofrojë atij një pagë rreth 10 milionë euro në sezon, ndjeshëm më shumë se 6.5 milionët që përfiton aktualisht nga kontrata me Interin.
Sipas burimeve nga Italia, Interi do të kërkojë një shumë rreth 40 milionë euro për të lejuar largimin e Çalhanoğlut këtë verë. Klubi thuhet se ka nisur tashmë të shqyrtojë zëvendësues potencialë, si Nicolo Rovella i Lazios, Ederson i Atalantas dhe Adrian Bernabe i Parmës, raporton “Football Italia”.
Megjithatë, sipas Calciomercato.com, një ofertë konkrete prej 30 milionë euro mund të jetë e mjaftueshme për ta bindur Interin të pranojë largimin e tij.
Aktualisht, Çalhanoğlu ndodhet me skuadrën në Shtetet e Bashkuara për Kupën e Botës për Klube, por nuk ka mundur të luajë për shkak të një lëndimi.
Presidenti i Interit, Beppe Marotta, u shpreh gjatë fundjavës për situatën e tij:
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të, dhe nuk kam vënë re ndonjë pakënaqësi nga ana e tij që ndodhet këtu.
Ai është i dëmtuar dhe po stërvitet veçmas, por këto ditë ka treguar gjithmonë respekt dhe profesionalizëm të lartë.
S’kemi asgjë për t’i vënë në dukje. Thashethemet që qarkullojnë janë tipike për merkaton, dhe shpesh përforcohen gjatë eventeve zyrtare, përmes komenteve — disa madje qëllimisht të shtrembëruara.”
Në pritje të zhvillimeve, e ardhmja e Çalhanoğlut mbetet e hapur për këtë verë.








