Baca Ganë, siç e thërrasin miqtë dhe të gjithë ata që e njohin, është gjellëbërës popullor që ka përgatitur ushqime për vite me radhë në më shumë se 3 mijë dasma dhe ahengje tjera në territorin e rajonit të Mitrovicës dhe më gjerë. Ai tregon se ushtarët britanikë i kishin kërkuar menynë e ushqimit, derisa po përgatiste ushqim për ushtrinë
Gani Berisha, 72 vjeçar nga fshati Kçiq i Mitrovicës, në një intervistë për KosovaPress, deklaron se tash është lodhur dhe dëshiron të pushojë, derisa bën të ditur se që nga viti 1969 e ka ushtruar profesionin e tij, të cilin thotë se ende e do.
Berisha ka katër vjet që nuk është duke e ushtruar këtë profesion.
Ai thotë se kurrë nuk ka bërë dallime kur ka ndarë ushqimin, as për të zotin e dasmës, ndërsa çdo personi i ka vënë në tabëll nga 300 gram mish dhe fëmijëve, u ka servuar gjithmonë më pak.
Sipas tij, më lehtë është të ndash ushqim për 200 burra sesa për 100 gra.
Ai tregon po ashtu se fal asaj diplome nga ushtria, në vitin 1972, është punësuar si kuzhinier në KNI ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë, ndërsa për shkak të afërsisë së udhëtimit, në vitin 1982, vazhdon punën si përgjegjës kryesor kuzhine në Fabrikën e Tjegullave në Zveçan, e më vonë edhe në shtypshkronjën ‘Progres’ në Mitrovicë.
Ka ndodhë, vazhdon ai, që në një dasmë të përgatisë bukë për 620 dasmorë, ndërsa bën të ditur se kuzhinieri dhe kafexhiu kanë rolin kryesor në dasma dhe ahengje, sepse nëse është ushqimi dhe shërbimi i mirë, atëherë dasmorët janë të kënaqur.
Me fillimin e luftës në Kosovë, ai i bashkëngjitet radhëve të UÇK-së, duke qenë përgjegjës për kuzhinë i Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, në Zonën Operative të Shalës, me ç’rast merr gradën e rreshterit për angazhimin dhe kontributin e tij të dhënë gjatë luftës.
Deri sa flet fjalë të mira për Brigadën 141 “Mehë Uka”, ai rrëfen një ngjarje interesante gjatë luftës, kur një ekip vëzhguesish nga Britania e Madhe kishin ardhur për t’u ushqyer në Shalë.
“Vëzhguesit kur më shihshin duke përgatitë, ma lypshin menynë. Thoshin qysh në këso kushtet e ke përgatitë këtë gjellë kaq të shijshme”, ka thënë ai.
Baca Ganë, që tani jeton në pension dhe i lumtur me familjen e tij, flet edhe në lidhje me fitimin për punën që ka bërë, ndërsa bën të ditur se iu ka ndihmuar shpesh në përgatitjen e ushqimeve si bashkëshortes, ashtu edhe familjarëve tjerë.








