Trajneri dhe ish-futbollisti i njohur, Arsim Plepolli, ka thënë se pasi që futbolli është sport që ka më shumë kontakt mes lojtarëve sesa në sportet e tjera, është e rrezikshme që futbollistët të mundë të infektohen më shumë nga të tjerët mes vete.
Përhapja e koronavirusit ka bërë që pothuajse të gjitha kampionatet në botë të pezullohen dhe futbollistët të detyrohen të stërviten vetëm nëpër shtëpitë e tyre, pasi që ata janë udhëzuar të vetizolohen dhe seancat stërvitore në klube janë anuluar, transmeton Gazeta Express.
Ende nuk dihet se kur do të ketë mundësi të kthehet futbolli në fushën e blertë, mirëpo trajnerët tashmë e kanë shprehur shqetësimin e tyre se lojtarët nuk do të jetë në formë të mirë kur të rinisin kampionatet, për shkak të mungesës së stërvitjeve me skuadër.
E ndihmëstrajneri në Flamurtar, Arsim Plepolli, mendon se futbollistët jo vetëm që mund ta humbin formën, por nëse nuk merren masat e nevojshme para se të rinisë kampionati, ata rrezikohen nga koronavirusi.
“Futbolli është lojë dueli. Edhe në futboll, nëse tash rinisin ndeshjet, nuk është e mundur të luhet në distancë sepse ke fërkime dhe gjëra të tilla. Prandaj, dua të them se mund të vijë deri të një e keqe. Dashtë Zoti të mos jetë askush i infektuar”, ka thënë Plepolli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
Megjithatë, Plepolli ka insistuar se futbollistët kosovarë nuk do të kenë probleme në aspektin psikologjik, pasi që thotë se si popull jemi mësuar të përballemi edhe me gjëra më të ashpra. /Gazeta Express/








