Gjatë ditës së sotme është mbajtur shorti i Kupës së Botës 2026, që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kështu janë kompletuar edhe 12 grupet, me kombëtaret e kualifikuara dhe ato që ende janë në garë për kualifikim që i kanë mësuar kundërshtarët e tyre. Te këto të fundit bën pjesë edhe Kosova, e cila mund të kualifikohet përmes “play-offit”, i cili zhvillohet në mars.
Në rast kualifikimi, Kosova do të jetë pjesë e grupit D, me SHBA-në, Australinë dhe Paraguajin.
Selektorët e këtyre kombëtareve e kanë komentuar shortin e sontëm.
Trajneri i Australisë, Tony Popovic, e ka përshkruar grupin si “të fortë”, por tha se skuadra “po pret me padurim sfidën që e pret përpara”.
“Më në fund të mësosh saktësisht se me kë do të luajmë në Kupën e Botës 2026 e bën gjithçka të ndihet më reale. Tani mund të fillojë planifikimi i vërtetë,” tha ai.
“Ende ka pak të panjohur, pasi kemi shortuar një skuadër nga ‘play-offi” C i UEFA-s dhe e luajmë ndeshjen e parë kundër tyre - por jemi të entuziazmuar”, shtoi ai.
Ndërkohë, trajneri i SHBA-së, Mauricio Pochettino ka thënë se të gjithë ndeshjet do të jenë të vështira.
“Duhet t’i respektojmë të gjithë kundërshtarët. Të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira. E dimë që Paraguaji ka bërë shumë mirë në kualifikimet e Amerikës së Jugut. Australia, derisa luajtëm kundër tyre, ishte e pamposhtur në 12 ose 13 ndeshje,” tha ai.
“Respekt i plotë, por po, besojmë se mund të kalojmë grupin. Por duhet të bëjmë paraqitje të mira.”, përfundoi ai.
Edhe trajneri i Paraguajit, Gustavo Alfaro e ka vlerësuar grupin si të vështirë.
“Faza përgatitore do të jetë vendimtare. Play-offi po ashtu do të jetë kompleks. E dimë që ekipi që vjen nga plejofi do të jetë në nivel me SHBA-në, me ne dhe me Australinë”, ka thënë selektori i Paraguait.
Kosova përballet me Sllovakinë më 26 mars 2026, teksa nëse fiton, luan me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani në Prishtinë./GazetaExpress/








