Një shkencëtar kinez, i cili i ndryshoi gjenet e dy binjakeve para se ato të lindeshin, është dënuar me tri vjet burgim.
Shkencëtari He Jiankui e tronditi botën vitin e kaluar, kur njoftoi se vajzat binjake, Lulu dhe Nana, janë lindur me gjente të modifikuara me qëllim që t’i rezistojnë infeksionit të HIV-it.
Profesori i Universitetit Jugor të Shkencës dhe Teknologjisë në Shenzhen kishte deklaruar se ndihet krenar me këtë arritje. Më vonë, ai pretendoi se edhe një grua tjetër është shtatzënë si rezultat i punës së tij shkencore.
Megjithatë, shumë kolegë të tij nga bota e shkencës e kishin kundërshtuar veprimin kundërthënës, duke e cilësuar atë si monstruoz dhe joetik.
Të hënën, Gjykata e Qarkut në Shenzhen e dënoi këtë shkencëtar me tri vjet burgim dhe gjobë prej 430 mijë dollarësh.
Në vendimin e gjykatës thuhet se shkencëtari Jiankui ishte i vetëdijshëm se mund të ketë përfitim ekonomik nga teknologjia e ndryshimit të gjeneve.
Bashkë me të, gjykata kineze i dënoi edhe dy shkencëtarë të tjerë, të cilët kishin bashkëpunuar për ndryshimin e gjeneve, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.








