Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, një ditë para seancës konstituive ka kërkuar nga lideri i partisë së tij, Isa Mustafa, dhe i pari i VV-së, Albin Kurti, që të ulen dhe të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion, raporton Gazeta Express
Avdyli ka shkruar në Facebook se në momentin kur kanë mbetur 24 orë para konstituimit të Kuvendit, është momenti që kryetari i LDK-së e VV-së të mendojnë si qytetarë të Kosovës me shumë halle e kërkesa e më pak si kryetarë të partive.
“Më shumë të takohen me punëtorë të sektorit privat, me arsimtarë e studentë, me mjekë e pacientë, me bujq e biznesmenë e më pak të dëgjojnë jurishnikët partiakë, militantë, servil e karrieristë që më shumë kanë hallin e vetes e klanit sesa hallin e shtetit”, thotë ai.
Sipas deputetit, duhet të krijohen ura të mirëbesimit dhe të bashkëpunimit afatgjatë.
“Guri në rrugën e koalicionit mund të hiqet nëse bëhemi bashkë për ta larguar e nga ai gur të ndërtojmë ura mirëbesimi e bashkëpunimi afatgjatë. Sepse ai guri (posti i Presidentit) mbetet vetëm një mjet për të larguar malin e gurëve e shkëmbinjve të keqqeverisjes së kaluar e fushave të minuara nga ata”, thotë ai.
Tutje, ai shprehet se është koha që të nënshkruhet marrëveshja e shumëpritur nga qytetarët.
“Koha është sot që Isa Mustafa, Vjosa Osmani e Albin Kurti të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur nga qytetarët sepse zhgënjimi qytetar i nesërm mund t'u hakmerret dy palëve por edhe vendin e vendos në rrugë pa krye. Nesër mund të kemi koalicion me fitues të besimit qytetar ose fërkim duarsh të humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit që veç në ujëra të turbullta mbijetojnë politikisht”, ka thënë ai. /GazetaExpress/








