Deputeti i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Borislav Novakoviq, ka deklaruar se misioni i fundit i Parlamentit Evropian në Beograd nuk ishte një vizitë rutinë, por një vizitë serioze politike që vjen pas rezolutës së PE-së, e cila evidenton dobësi të thella në sundimin e ligjit dhe dhunën e pushtetit ndaj studentëve dhe qytetarëve protestues.
Sipas Novakovićit, ky mision do të përgatisë një raport që do t’i shërbejë Komisionit Evropian si bazë për përcaktimin e qasjes së ardhshme ndaj Serbisë si vend kandidat për anëtarësim në BE. Ai thekson se kjo vizitë është e rëndësishme për disa arsye kyçe.
“Para së gjithash, kjo është një përpjekje për ta demaskuar regjimin e Aleksandar Vuçiqit dhe për të zbuluar qëllimet e tij reale në raport me rrugën evropiane të Serbisë. Ekziston një dallim drastik mes asaj që pushteti premton dhe asaj që realisht bën. Askush më nuk është i gatshëm ta tolerojë këtë gjendje”, ka deklaruar Novakoviq për Nova.rs.
Ai shton se përballë këtij regjimi tashmë po formohet një alternativë reale dhe e besueshme politike, ndërsa Brukseli, sipas tij, më në fund ka një adresë të qartë politike në Beograd. Novakoviq vlerëson se kjo është një vizitë urgjente dhe se nuk do të përfundojë me një raport formal që mbetet në sirtarë, por me monitorim të vazhdueshëm deri në përmbushjen e kushteve për sundim të ligjit dhe zgjedhje demokratike.
Duke komentuar provokimet e pushtetit gjatë vizitës, përfshirë vendosjen e ekspozitave politike në institucionet shtetërore, Novakoviq tha se këto veprime dëshmojnë fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual, të cilin e akuzon për nacionalizëm primitiv, antievropianizëm dhe mungesë të plotë të kulturës diplomatike.
Ai ka reaguar edhe ndaj dhunës policore ndaj studentëve dhe profesorëve, duke theksuar se përdorimi i forcës është bërë mjeti kryesor i komunikimit politik të regjimit. Sipas tij, çdo keqpërdorim i pushtetit do të duhet të përballet me drejtësinë, ndërsa lustracioni është i domosdoshëm për rikthimin e besimit në institucione.
Në lidhje me zgjedhjet e mundshme, Novakoviq shprehet skeptik se pushteti do t’i shpallë ato së shpejti, por thekson se shpresa ekziston vetëm përmes unitetit të opozitës, studentëve dhe shoqërisë civile.
“Të gjithë ata që janë kundër këtij regjimi duhet të jenë në një front të përbashkët. Kundërshtari është vetëm një – pushteti aktual. Çdo ndarje tjetër vetëm sa e forcon atë”, përfundon Novakoviq.








