Gjashtëmbëdhjetë të burgosur janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një përleshjeje të armatosur në një burg në pjesën veriore të Meksikës. Ky është njëri prej rasteve më të rënda të dhunës në sistemin e drejtësisë që nga ardhja në pushtet e presidentit Andres Manuel Obrador.
Përleshja mes të burgosurve raportohet të ketë filluar pasditen e së martës në Qendrën Rajonale për Riintegrim Social në qytezën Cieneguillas. Lajmin e bëri të ditur qeveria qendrore përmes një deklarate të publikuar të martën në mbrëmje.
Një i burgosur u gjet me armë dhe u arrestua, ndërsa policia i gjeti edhe tri armë zjarri dhe disa thika brenda burgut.
Qeveria e ka nisur një hetim për personat përgjegjës në këtë sulm dhe mënyrën e futjes së armëve në burg dhe paralajmëroi se nëpër burgje tash e tutje do të ketë masa më të rrepta të sigurisë.
Pavarësisht zotimit të presidentit Obrador për ta zvogëluar nivelin e dhunës në vend, Meksika u përball me njërën prej shifrave më të larta të vrasjeve gjatë vitit që e lamë pas.
Burgjet meksikane janë të njohura për raste të ngjashme të dhunës. Në vitin 2017, së paku 28 të burgosur ishin vrarë në një përleshje që kishte shpërthyer në burgun e qytetit Acapulco, shkruan "Reuters", transmeton Gazeta Express.








