Janë djegur disa zyra të ndërtesës së Gjykatës Speciale në Beograd, si pasojë e një zjarri që shpërtheu të hënën në çatinë e objektit.
Zyrat e dëmtuara përdoren nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar (JTOK).
Sipas informacioneve, pothuajse të gjitha hapësirat e prekura nga zjarri i përkasin prokurorëve që po punojnë në hetime të ndjeshme, ndërsa portali “Nova” ka publikuar ekskluzivisht fotografi nga një prej kabineteve të një prokurori që merret me hetimin financiar në rastin “Streha”, ku dëmet janë pothuajse totale.

Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, ndërsa hetimin e ka marrë përsipër Prokuroria e Lartë Publike në Beograd. Flakët dhe tymi janë shfaqur fillimisht në tavanin e kabineteve në katin e fundit. Falë reagimit të shpejtë të prokurorëve, punonjësve të gjykatës dhe rojës gjyqësore, dokumentet dhe materialet hetimore janë nxjerrë me kohë dhe janë shpëtuar.
Përveç lëndës “Streha”, sipas burimeve, nga zjarri janë shpëtuar edhe dosjet që lidhen me hetimin ndaj Milorad Grçiq, ish-drejtor ushtrues detyre i kompanisë shtetërore EPS.
Në fotografinë e publikuar shihet se kabineti i njërit prej prokurorëve është pothuajse plotësisht i shkatërruar, si nga zjarri ashtu edhe nga ndërhyrja e zjarrfikësve.








