Për 19 vjet, një pjesë e qytetarëve s’kanë lënë mbeturinë pa hedhur në lumin “Shtimjanja”, ndërsa të gjithë pushtetarët kanë dështuar të sigurojnë një lumë të pastër. Lumi “Shtimjanja” shpeshherë i ngjan një deponie mbeturinash, ku disa qytetarë i hedhin ato pa mëshirë.
Florent Seferi*
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Shtimes, Halil Halili, në intervistën e tij tha që, sipas kontratës, kompania “Pastërtia” ka përgjegjësi për mirëmbajtjen e lumit. U shpreh gjithashtu se gjendja nuk është e kënaqshme.
“Kompania “Pastërtia” nuk ka kapacitete të mjaftueshme. Sapo e kemi marrë një donacion nga GIZ-i gjerman, donacion me afër 1100 kotenierë”, tha Halil Halili.
Ai tutje shtoi se përzgjedhja e kompanisë përgjegjëse bëhet me rekomandim të GIZ-it gjerman dhe se viti 2020 do të jetë viti kur nga 47 për qind, numri i qytetarëve të kyçur në sistemin e grumbullimit të mbeturinave do të arrijë në 85 për qind, gjë e cila do ta lehtësojë mirëmbajtjen e lumit.

Se Kompania “Pastërtia” nuk ka kapacitete të mjaftueshme për pastrimin e lumit dhe mirëmbajtjen e tij, e pranoi edhe Osman Muharremi, përgjegjës i kompanisë rajonale “Pastërtia” në Shtime.
“Faji është i përbashkët, duhet vetëdijesim i qytetarëve”, tha Muharremi. Kjo gjendje alarmante më së miri vërehet edhe nga pamja e neveritshme e mbeturinave të shumta në oborrin e kësaj kompanie.
Mendim tjetër rreth këtij problemi ka anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Kurtishi, i cili thotë se e tërë përgjegjësia është e komunës, e cila nuk e monitoron gjendjen e lumit.
“Gjendja e tmerrshme e lumit lë vend për dyshime se në tenderë kanë ndodhur abuzime dhe keqpërdorime nga komuna”, tha Halil Kurtishi.

Një banor i kësaj komune, Hamdi Ndrecaj, shprehet i çuditur me disa qytetarë, të cilët i ndotin këto pasuri natyrore. Fajin kryesor Ndrecaj ia lë Komunës së Shtimes, për të cilën thotë se iu ka dhënë leje operatorëve jokredibilë që të merren me lumin.
“Gjatë fushatave, gjithmonë na premtojnë që do të rregullohet çështja e lumit, njësoj premtuan edhe për pranverën e vitit 2019, por kjo nuk ndodhi. Gjendja më kritike është në fshatin Muzeqinë, ku lumi nuk mund të dallohet që është lumë nga mbeturinat” tha Ndrecaj.
Ai shtoi se dikur ky lumë ishte i pasuruar me disa lloje peshqish, por tani gjendja është krejt tjetër. Përveç mbeturinave, ujërave të zeza e kundërmimit të tmerrshëm, ka pasur raste edhe më të rënda, kur kafshët e ngordhura janë hedhur në lumë./Gazeta Express
*Florent Seferi është student i vitit të parë në Degën e Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë.








