Përkundër që mori kritika të shumta për organizimin e një turneu të tenisit në mes të pandemisë – që përfundoi me infektim të disa lojtarëve e trajnerëve, përfshirë këtu edhe vetë atë – Novak Djokovic ende po refuzon të mbajë maskë.
33-vjeçari serb u fotografua në pushime të mërkurën në Marbella të Spanjës, teksa argëtohej me një numër të njerëzve, transmeton Gazeta Express.
Askush në grupin e njerëzve që po qëndronin përkrah Djokovicit nuk po mbante maskë apo distancë sociale, të cilat janë udhëzimet për t’u mbrojtur nga infektimi me Covid-19.



Spanja ka qenë veçanërisht e goditur nga koronavirusit në Evropë, me mbi 28 mijë persona të vdekur, ndërsa personat që kapen pa maskë në fytyrë dënohen me gjobë prej 110 dollarësh.
Djokovic vetë është shëruar nga Covid-19, pasi ishte në mesin e një numri të madh të të infektuarve gjatë turneut të tenisit në Serbi dhe Kroaci, të organizuar nga ai muajin e kaluar.
Djokovic e kishte organizuar atë turne për t’i kompensuar turnetë zyrtare të anuluara të tenisit. Gjatë turneut, pjesëmarrësit nuk i kishin respektuar aspak rekomandimet e ekspertëve mjekësorë dhe në fund kishin rezultuar disa të infektuar. /Gazeta Express/








