Dodik doli hapur në mbështetje të Putinit edhe për luftën në Ukrainë, duke e quajtur agresionin rus “Operacion Special Ushtarak” dhe duke e arsyetuar atë si të domosdoshëm për krijimin e një “bote multipolare të barabartë”. Ai deklaroi se “Perëndimi nuk arriti t’i bëjë Rusisë atë që i bëri Ballkanit” dhe se Moska ishte e detyruar të reagonte.
Në një intervistë për agjencinë ruse RIA Novosti, lideri i SNSD-së, Milorad Dodik, theksoi se debati për një rend të ri botëror multipolar është hapur falë politikave të presidentit rus Vladimir Putin. Sipas tij, pa “qëndresën e Rusisë” nuk do të flitej sot për fundin e botës unipolare.
Dodik shtoi se Rusia u detyrua të ndërmarrë veprime për të mbrojtur interesat e saj, duke pretenduar se, në të kundërtën, procese të ngjashme me ato që po ndodhin aktualisht do të zhvilloheshin brenda territorit rus. Ai e cilësoi Rusinë si faktor kyç në ndryshimet globale dhe si palë fituese në përplasjet aktuale gjeopolitike.
Ai madje e cilësoi Rusinë si “fituese” në proceset globale të ndryshimeve, duke vlerësuar se kjo është edhe qëllimi i Federatës Ruse dhe i presidentit të saj.








