Prishtina sërish pati rast ta presë kampionin e madh në boks Robin Krasniqi.
Sheshi “Xhorxh Bush” në Prishtinë ishte vendtakim i shumë adhuruesve, të cilët nga afër patën rastin ta shohin e takojnë, boksierin e njohur, i cili këtë herë erdhi për të qenë pjesë e ceremonisë së shfaqjes së dokumentarit dhe ekspozitës së fotografive, rreth jetës dhe karrierës së tij.
Në mbrëmjen e së hënës, Robin Krasniqi ishte në qendër të vëmendjes.
Emocione e nostalgji, për rrugën e vështirë, nga një emigrant në një kampion.
Dekani i UP-së Qerim Qerimi në fjalën e tij, e ka cilësuar jetën dhe karrierën e Robin Krasniqit si një model që duhet ndjekur.
I entuziazmuar për këtë aktivitet është shprehur edhe drejtori për sport në Prishtinë, Granit Rugova.
Drejtori ekzekutiv i eventit Azem Bujupi, poashtu ka folur për idenë e realizimit dhe të prezantimit të dy eventeve, dokumentarit dhe ekspozitës.
Në fjalën e tij, Robin Krasniqi është dukur emocional, por edhe i gëzuar për pritjen e ngrohtë që i kishin rezervuar edhe në këtë event.
Shfaqja e dokumentarit dhe paraqitja e ekspozitës së Robin Krasniqit, janë evente përcjellëse, të mbrëmjes së madhe të boksit, që më 5 gusht organizohet në Prishtinë.
Nga java e ardhshme, fillon edhe turi i autobusit me vizitë nëpër qytetet kryesore të Kosovës, ku në secilin prej tyre do qëndrojë mbrëmjeve në datat e caktuara. /Gazeta Express/








