Donjeta Sadiku do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të boksit për seniore, i cili do të mbahet në Malit të Zi.
Boksieria nga Gollaku nesër do ta marrë rrugën drejt Budvës së bashku me selektorin Faton Xhakli dhe trajneren Marjola Sallauka për të marrë pjesë në kompeticionin që do të nisë më 14 dhe do të mbyllet më 23 tetor, shkruan “Gazeta Express”.
Sipas trajneres Sallauka, Donjeta është në formë të mirë dhe e përgatitur maksimalisht për këtë Evropian, ndërsa shpreson dhe beson se nga kjo garë të rikthehet si kampione me medalje të artë.
Duhet cekur se Donjeta ka qenë kampione evropiane për juniorë dhe nënkampione e Evropës për të reja, ndërsa këtë vit Federata e Boksit pret që boksieria më e mirë në vend të kurorëzohet me titullin e kampiones së Evropës, duke e marrë medaljen e artë evropiane. /Gazeta Express/








