Familja nga Prizreni, dy fëmijët e së cilës humbën jetën, jetonte prej 15 vitesh në qytetin Mont Brison të Francës. Majda Demiri, 5 vjeçe, dhe Adil Demiri, 2, humbën jetën tragjikisht në lumin Le Moingt, ditën e mërkurë.
Ngjarja tragjike ndodhi para syve të nënës së tyre, 35-vjeçares Arijana Demiri. Pasi pa se 2 fëmijët e saj që po luanin ranë në ujë ajo u fut në lumë, por nuk mundi t’i nxirrte ata jashtë për shkak të dallgëve. Televizioni 7 i Kosovës ka arritur të kontaktojë familjarët që tregojnë si ndodhi ngjarja.
Pas ngjarjes tragjike nëna është shtruar në spital. Sipas familjarëve, ajo është ende në gjendje kome. Zyra e prokurorit në Saint-Etienne ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar autopsinë e dy trupave. Familjen nga Kosova e kanë ngushëlluar presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, dhe ministri në detyrë i Jashtëm, Behgjet Pacolli.








