Fiorentina dhe Parma i kanë mohuar lajmet se ato kanë dalë kundër planit të Serisë A për ta rinisur kampionatin.
Adnkronos raportoi të hënën në mbrëmje se tetë klube të Serisë A e kishin kundërshtuar planin e Serisë A për ta rinisur sezonin 2019/20, si shkak i rrezikut që u kanoset nga koronavirusi, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Fiorentina ka reaguar përmes një deklaratë të lëshuar në faqen zyrtare: “Fiorentina e mohon kategorikisht se e ka deklaruar veten si kundër rinisjes të sezonit”.
“Fiorentina gjithashtu e ka bërë të qartë se pajtohet plotësisht me vendimet që do t’i marrë liga dhe qeveria”.
Edhe Parma reagoi në të njëjtën mënyrë përmes një deklaratë në faqen zyrtare, ku e shprehu vullnetin e plotë të klubit për ta rinisur kampionatin.
Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, kundër planit të Serisë A për ta kompletuar sezonin aktual janë Torino, Bologna, Sampdoria, Brescia, SPAL dhe Udinese. /Gazeta Express/








