Dy persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri në Fort Worth të Teksasit të dielën. Autoritetet thanë se personi i plagosur ndodhet në gjendje kritike.
Zëdhënësja e shërbimit shëndetësor, Macara Trusty, tha se dy persona janë qëlluar për vdekje dhe një tjetër ka marrë plagë të rënda dhe është duke u trajtuar në spital. Ajo tha se të gjitha viktimat janë të gjinisë mashkullore.
Autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë hollësi për rrethanat në të cilat ndodhi ky sulm.
Një person i moshuar, i cili ndodhej në kishë në momentin e sulmit, i tha gazetës “New York Times” se njëri prej personave të vrarë ishte roje sigurie që i ishte kundërpërgjigjur me të shtëna sulmuesit.
“Ai përpiqej ta bënte atë që duhej ta bënte për të na mbrojtur ne të tjerëve”, tha Mike Tinius, i cili tha se rojën e vrarë e kishte mik të dashur.
Ky nuk është sulmi i parë që ndodh në një kishë të Teksasit. Në nëntor të vitit 2017, sulmuesi Devin Patrick Kelley i kishte vrarë më shumë se 24 persona para se ta vriste edhe veten, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.








