Për sot ishte paralajmëruar hapja e pikës kufitare Bellanoc – Stançiq, që do të lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, por kjo nuk ndodhi. Pengesa siç mësohet ka qenë tek autoritetet e Policisë së Kosovës, që janë afër finalizimit të çështjeve teknike.
Derisa pala e Maqedonisë së Veriut është gati. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, theksoi se kjo është çështje që do të kryhet shpejt dhe do të hapet pika kufitare.
“Ka mbetur edhe një çështje e vogël teknike që Policia e Kosovës duhet ta përmbyllë dhe fillojmë. Nga ana jonë ne jemi gati që sot”, theksoi për INA, zv.kryeministri Osmani.
Nga pala kosovare kanë thënë për mediat lokale se po bëhen përgatitjet e fundit teknike.
Majori Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se po bëhen përgatitjet dhe se nga ky stacion janë marrë një numër i policëve për këtë vendkalim. Sipas tij, ende nuk ka datë të saktë se kur do të hapet kjo pikë kufitare në Karadakun e Kumanovës dhe Gjilanit.








