Emir Sahiti i është bashkuar Maccabit nga Hamburgu, pasi u arrit një marrëveshje mes dy klubeve për huazimin e anësorit deri në fund të sezonit 2025/26, me opsion blerjeje të përhershme.
Sahiti ka shënuar 3 gola në 26 paraqitje në të gjitha garat për Hamburgun, që kur iu bashkua klubit të Bundesligës në verën e vitit 2024 nga Hajduk Split.
Pas përfundimit me sukses të testeve mjekësore, Sahiti i tha faqes zyrtare të klubit: “Jam krenar dhe i emocionuar që i bashkohem Maccabi Tel Avivit, një klub me histori të pasur, tifozë të zjarrtë dhe ambicie të qarta. Që nga bisedat e para e ndjeva vizionin e klubit dhe e dija se ky ishte hapi i duhur për mua. Vij i uritur për sukses, i motivuar dhe gati të jap gjithçka për këtë fanellë, të ndihmoj ekipin të fitojë trofe dhe t’i bëj tifozët tanë krenarë. Mezi pres ta përjetoj atmosferën në stadiumin ‘Bloomfield’.”
Sahiti e nisi karrierën e tij futbollistike te KF Trepça ’89 në Kosovë, përpara se në vitin 2015 të transferohej te Rabotnicki, ku luajti për klubin nga Maqedonia e Veriut deri në vitin 2018.
Në moshën 20-vjeçare, Sahiti u transferua në Kroaci te Hajduk Split, ku gjatë një periudhe gjashtëvjeçare shënoi 18 gola në 121 paraqitje në të gjitha garat.
Kjo periudhë përfshiu edhe një huazim njësezonal te Šibenik, ku realizoi 7 gola në 35 ndeshje.
Në nivel ndërkombëtar, Sahiti ka shënuar një gol në 7 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës dhe më parë ka përfaqësuar përfaqësueset e reja të Shqipërisë në nivelet U21 dhe U19./GazetaExpress/








