Pas një pauze të shkurtër, emisioni sportiv “Favorit” në T7 do të rikthehet sërish përpara shikuesve, duke sjellë analizë, debat dhe informacion të detajuar nga bota e sportit, me theks të veçantë te futbolli vendor dhe ai ndërkombëtar.
I drejtuar nga moderatorja Arbëri Gashi Xhemajli, së cilës do t’i asistojnë producenti i emisionit, Moral Pozhegu, si dhe gazetarët Endrit Jashari, Blerian Dushica e Endrit Ismajli, “Favorit” ka qenë prej vitesh një nga emisionet më të ndjekura dhe më me ndikim sportive, falë analizave profesionale, të ftuarve të njohur dhe trajtimit të temave aktuale që zgjojnë interes të madh te publiku sportdashës.
Rikthimi i tij pritet të sjellë sërish dinamizëm dhe debat konstruktiv në ekran.
Emisioni do të vazhdojë të ofrojë përmbledhje të ndeshjeve, analiza taktike, diskutime mbi zhvillimet më të fundit sportive, si dhe intervista ekskluzive me protagonistë të sportit.
Me rikthimin e “Favorit”, shikuesit do të kenë edhe një herë një hapësirë të dedikuar për të ndjekur dhe komentuar ngjarjet kryesore sportive, ndërsa pritet që emisioni të ruajë standardin dhe identitetin që e ka karakterizuar ndër vite.
“Favorit” rikthehet për të qenë sërish një pikë referimi për sportin dhe sportdashësit.
Çdo të diel nga ora 22:00 në televizionin T7. Mirupafshim!








