Ylli i ri i Real Madridit, Endrick, i huazuar te Olympique Lyon për pjesën e dytë të sezonit, ka folur për përvojën e tij te madrilenët dhe planet e tij në Francë.
Braziliani 19-vjeçar u shpreh se debutimi i tij te Real Madrid ishte një eksperiencë e vlefshme: “Ishte një sezon ku mësova dhe u rrita shumë. Shkova mirë, shënova gola në debutime dhe luajta me disa nga lojtarët më të mirë në botë,” tha Endrick.
Ai gjithashtu lavdëroi Carlo Ancelotti, duke theksuar se mësoi jo vetëm për futbollin, por edhe për jetën sportive.
Endrick kaloi një periudhë të vështirë pas një dëmtimi që e mbajti jashtë fushës nga maji deri në shtator, duke humbur FIFA Club World Cup dhe fillimin e sezonit. “Ishte një periudhë e vështirë, por klubi më mbështeti gjatë rikuperimit,” shtoi ai.
Futbollisti ka nisur pozitivisht aventurën e tij te Lyon, duke shënuar në debutim kundër Lille. “Që nga topi i parë, synova fitoren. Qëllimi im është të ndihmoj skuadrën të fitojë çdo ndeshje. Nëse e arrij këtë, shpërblimi më i madh janë golat dhe titujt,” u shpreh Endrick.
Ai bëri të qartë se nuk mendon për kthimin te Real Madrid për momentin: “Tani mendoj vetëm për Lyon dhe tifozët e klubit. Marrdhënia ime me Real Madrid nuk ka ndryshuar, ata më mbështetën plotësisht gjatë këtij huazimi.” /GazetaExpress








