Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS), që vepron në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), e ka mbajtur edhe mbledhjen e dytë, në të cilën janë zgjedhur organet drejtuese: kryetari, nënkryetari dhe sekretari për mandatin 2021 – 2024.
Kryetar është zgjedhur Eroll Salihu, i cili ka përvojë si jurist dhe në menaxhimin e organizatave sportive.
Salihu është sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe njëherësh anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-së, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Nënkryetar është zgjedhur Armend Krasniqi, ndërsa sekretare, Jehona Shyti.
Të nëntë anëtarët që e përbëjnë KAS-in janë juristë, të cilët janë zgjedhur në Asamblenë e fundit Zgjedhore të KOK-ut, pas propozimeve të ardhura nga Federatat sportive, përcjell Gazeta Express.
Në kuadër të KAS-it funksionon edhe rregullorja për procedurat e zgjidhjes së konflikteve, e miratuar në Asamblenë e Punës së KOK-ut.
Funksionalizimi i KAS-it është i rëndësishëm për federatat sportive, për klubet dhe gjithë sportin e Kosovës, sepse i zgjidh të gjitha konfliktet mes federatave, klubeve dhe sportistëve. /Gazeta Express/








