Gjatë vitit që lëmë pas janë arrestuar tetë zyrtarë korrektues, ndërsa në proces të hetimeve është një numër shumë i madhi i tyre, ka njoftuar drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, i cili e pranon se nëpër buxhet po vazhdon të ketë kontrabandë me substanca narkotike e përdorim të telefonave.
Sipas tij, në vitin 2020, do të hapet ferma e pulave dhe një fabrikë e ujit, ku do të angazhohen shumë të burgosur, ndërkohë thekson se është arritur të rehabilitohen të burgosurit dhe të marrin profesione të ndryshme.
Në Qendrat Korrektuese në Kosovë janë rreth 1800 persona të cilët janë duke mbajtur dënimin për vepra të caktuara.
Thaçi në një intervistë për KosovaPress, deklaron se gjatë vitit 2019, kanë ngritur kapacitetin për bashkëpunim me institucionet tjera, siç janë Policia e Kosovës dhe agjencionet tjera të sigurisë.
Ai po zotohet se si Shërbim Korrektues i Kosovës, kanë ulur shpenzimet për një milion euro gjatë vitit që lëmë pas, duke rehabilituar të burgosurit.
Thaçi pohon se në burgjet e Kosovës po vazhdon të ketë kontrabandë me substanca narkotike, e po ashtu edhe me përdorimin e telefonave, e në raste të tilla sipas tij, masat e ndëshkimit janë të mëdha si për të burgosurit, ashtu edhe për zyrtarët korrektues të cilët po e mundësojnë kontrabandën.
Ai foli edhe për suspendimin e disa zyrtarëve korrektues, që siç thotë ka pasur dyshime që kanë qenë të involvuar në kontrabandë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, disa herë kishte ripërsëritur kërkesën se duhet të ndërtohet një spital brenda sistemit të burgjeve.
Pavarësisht kësaj, Thaçi thotë se shërbimet shëndetësore në burgje janë të mira, derisa ai nuk i arsyeton ankesat e të burgosurve. Drejtori i burgjeve të Kosovës, thotë për KosovaPress, se gjatë vitit 2020 presin që të aprovohet Ligji për Shërbimin Korrektues.
Derisa në Kuvendin e Kosovës, vitin e kaluar është diskutuar për kthimin e pakove ushqimore, Thaçi thotë se në këtë mënyrë do të motivohen të burgosurit për keqpërdorim e kontrabandë.
Ai po zotohet se në vitin 2020, do të hapet ferma e pulave dhe fabrika e ujit ku do të angazhohen të gjithë të burgosurit.








