“Europa nuk është më qendra kryesore e gravitetit të Uashingtonit dhe ndryshimi është strukturor, jo i përkohshëm”, tha të mërkurën shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ndërsa udhëheqësit europianë po përpiqen të përshtaten me qasjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj marrëdhënieve transatlantike.
Duke folur në konferencën vjetore të Agjencisë Europiane të Mbrojtjes, ajo shtoi se ndërsa BE-ja ende kërkon lidhje të forta transatlantike dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleate, Europa duhet të përshtatet me realitetet e reja dhe "NATO-ja duhet të bëhet më europiane për të ruajtur forcën e saj".
"Rreziku i një kthimi të plotë në politikën e fuqisë shtrënguese, sferat e ndikimit dhe një botë ku fuqia bën të drejtën, është shumë real", tha ajo gjithashtu.








