Prishtina ka reaguar pas humbjes 2-1 nga Drita, duke fajësuar fushën dhe gjyqtarët
Prishtina ka bërë një hap prapa në përpjekje për ta fituar titullin në ligë për herë të parë pas shtatë vjetëve, e cila ka ngelur në pozitën e katërt të IPKO Superliges se Kosovës me 41 pikë, tri më pak se lideri, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Skuadra nga kryeqyteti u mposhtë 2-1 në udhëtim te Drita.
Përmes një shkrimi në faqen zyrtare, Prishtina ka fajësuar gjendjen e keqe të fushës dhe po ashtu gjyqtarët për këtë humbje, që sipas tyre, “gjithmonë janë kundër Prishtinës”, raporton Gazeta Express.
Reagimi i plotë i Prishtinës në faqen zyrtare:
Prishtina ngelët në lloçin e fushës e të gjyqtarëve
Gjilan, 8 mars 2020 – Prishtina sot nuk meritoi më shumë se barazimin, realisht, duke ngelë në baltën e fushës e para gjyqtarëve që “mjeshtërisht” e mbajtën lojën ashtu siç ata shumë herë kanë dëshmuar në të kaluarën kundër Prishtinës.
Kjo humbje dëshpëruese Prishtinën e lë në vend të 4-të dhe të demotivon. Megjithatë, Prishtina s’do të ishte Prishtinë sikur mos të ngjallte shpresa që ajo në momentet kruciale ngjallet sikurse feniks.
Janë edhe 11 ndeshje dhe as balta as gjyqtarët e dirigjuar nga “miqtë” e klubit nuk do të mund të ndikojnë, gjithçka është në dorën e futbollistëve tanë e që veç talentit, për fatin e tyre të keq nuk dinë as të japin shuplaka kundërshtarit para gjyqtarit e as t’i puthin gjyqtarët në faqe pas ndeshjes.
Forca e futbollistëve të Prishtinës është talenti i tyre dhe armata e tifozëve që tani e tutje do t’i kenë numër edhe më të madh nga mbrapa…








