Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive (FBNSK) është bërë anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Ngjitjes Sportive (IFSC).
Sipas FBNSK, kjo erdhi si rezultat i angazhimit të përkushtuar dhe përmbushjes në tërësi të kritereve të parapara, shkruan Gazeta Express.
Federata Ndërkombëtare e Ngjitjes Sportive, në Asamblenë Gjenerale të XIX, të mbajtur në Singapor, më 31.03.2023, aprovoi kërkesën e Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive, e Kosovës – FBNSK, duke e pranuar si anëtare të re, me të drejta të plota.
Ngjitja sportive u konfirmua zyrtarisht si një sport shtesë në programin e Lojërave Olimpike Tokio 2020, ndërsa në programin olimpik është edhe për Lojërat Olimpike Paris 2024.
Ky sport ka fituar besueshmëri jo vetëm si sport konkurrues, por edhe për vlerat e tij sociale.
Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportiv e Kosovës, në programin e saj të veprimit i ka dhënë prioritet aktiviteteve te Ngjitjes Sportive me qëllim të avancimit të këtij sporti në Republikën e Kosovës, masovizimit tek të rinjtë, zbulimin dhe përgatitjen e garuesve të cilët do të prezantojnë Kosovën në garat ndërkombëtare.
Federata Ndërkombëtare e Ngjitjes Sportive (IFSC) u krijua më 27 janar 2007 si vazhdim i Këshillit Ndërkombëtar për Ngjitje në Garë, i cili u krijua në 1997. Objektivat kryesore të IFSC janë drejtimi, rregullimi, promovimi, zhvillimi dhe avancimi i garave të ngjitjes në mbarë botën. E njëjta organizon dhe mbikëqyr garat e ngjitjes në mbarë botën. /Gazeta Express/








