Federata e Futbollit e Maqedonisë ka bërë të ditur se i ka kërkuar UEFA-s edhe zyrtarisht të shtyhet ndeshja kundër Kosovës, e vlefshme për gjysmëfinale të play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.
Të martën u mor vendimi që gjysmëfinalja e play-offs për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të zhvillohet pa tifozë të pranishëm në “Todor Proeski”, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë, dje u raportua se Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut do ta kërkojë nga UEFA shtyrjen e ndeshjes, në mënyrë që të mos e humbë epërsinë që e kishte si vendas me shpresën se do të kishte përkrahje të fuqishme nga tifozët në Shkup.
Kjo shtyrje kërkohet për shkak se futbollistët maqedonas si Pandev, Elmas dhe Nestorovski (luajnë në Itali) pas ardhjes në Shkup duhet të qëndrojnë dy javë në karantinë dhe pa stërvitje do ta prisnin ndeshjen me Kosovën. Në Itali luajnë edhe futbollistët e Kosovës si Amir Rrahmani e Samir Ujkani.
“Në letrën e drejtuar deri te Shtëpia e futbollit Europian, përveç problemit me tifozët (ndalesë për praninë e publikut nga ana e Qeverisë së vendit), FFM potencon problemin me arritjen e futbollistëve të ekipit përfaqësues në vendin tonë, gjegjësisht izolimin-karantinën eventuale të disa futbollistëve të caktuar që do të vinin nga vendet me nivel të lartë të pranisë së virusit COVID-19”, shkruhet në njoftimin e Federatës.
UEFA për Gazetën Express: Po i monitorojmë vendimet e autoriteteve lokale
Gazeta Express e ka pyetur UEFA-n nëse do të marrë apo jo vendim për shtyrje të ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Shtëpia e futbollit evropian nuk ishte në gjendje të jap përgjigje definitive, por nuk e ka përjashtuar asnjë mundësi. UEFA tha se po e përcjell me vëmendje situatën në Maqedoni në prag të ndeshjes së 26 marsit.
“UEFA është duke i monitoruar vendimet e autoriteteve lokale që mund të kenë ndikim në ndeshje në kompeticionet e tyre. Për momentin nuk kemi përditësim apo komente sa u përket ndeshjeve që do të luhen në atë fazë (më 26 mars). Të gjitha përditësimet sa u përket ndeshjeve që organizohen nga UEFA do të publikohen në uefa.com sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka deklaruar UEFA për Gazetën Express.
Në Maqedoni ndeshjet kampionale po zhvillohen pa praninë e publikut. Koronavirusi ka shkaktuar kaos në të gjitha garat futbollistike në Evropë dhe në shumë vende të botës. “UEFA është duke e marrë me seriozitet të madh situatën që lidhet me koronavirusin. Ne jemi duke e monitoruar nga afër situatën dhe jemi në kontakt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe autoritetet kombëtare rreth COVID-19 dhe zhvillimit të tij”, theksoi UEFA. /Gazeta Express/








