Mes Manchester United dhe Arsenal ka ekzistuar gjithmonë një rivalitet sportiv shumë i zjarrtë. Djajtë e Kuq dhe Topçinjtë janë sfiduar vazhdimisht për tituj dhe kupa kombëtare nga vitet ‘90 në dhjetëvjeçarin e parë të viteve ‘00.
Rio Ferdinand ka zbuluar një episod të veçantë për Manchester Evening News në lidhje me Ruud van Nistelrooy dhe Thierry Henry: “Lojtarët e mëdhenj kanë nevojë për rivalitete të mëdha. Duhet të krahasohen mes tyre”, ka thënë ish-mbrojtësi i United.
“Ruud van Nistelroy e kishte zakon të futej në dhomat e zhveshjes pas një ndeshjeje, edhe kur ishim duke luajtur për titullin, dhe të shikonte rezultatet në televizor. Një herë kishim fituar 3-1 ose 4-1 dhe ai kishte shënuar një gol”.
“Megjithatë, u mërzit shumë pasi shikoi rezultatet në TV. Ne e pyetëm se çfarë kishte ndodhur. Më pas kuptuam se Henry kishte shënuar dy gola dhe ai vetëm një. Qëndronte ulur aty, i shkatërruar. Unë mendoja se ishte i çmendur: sapo kishim fituar 3-1, kishte shënuar dhe ishte i zhgënjyer”.








