Ylli i mesfushës së Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, ka thënë që transferimet e reja te Djajtë e Kuq duhet ta kenë të njëjtin mentalitet fitues që e ka ai, në mënyrë që klubi anglez të mund t’i kthehet lavdisë në futboll.
25-vjeçari ka ndikuar shumë në skuadrën e Manchester Unitedit që nga transferimi i tij nga Sporting Lisbona në janar, duke u ndihmuar Djajve të Kuq ta arrijnë një ecuri prej 11 ndeshjeve pa humbje dhe duke e fituar çmimin e Premierligës për lojtarin më të mirë të muajit shkurt, transmeton Gazeta Express.
Përderisa para se futbolli të pezullohej e ardhmja e Manchester Unitedit nën Ole Gunnar Solskjaer dukej e ndritur, Ferndandes i ka kërkuar hierarkisë së klubit që të sigurohet që çdo lojtar i ri që transferohet në skuadër ta ketë si përqendrim triumfin në kampionate.
“Ne tashmë e kemi një skuadër të madhe, por kushdo që vjen duhet të vijë këtu për të fituar. Duhet të jetë i përqendruar vetëm të fitojë, unë dua të kem përreth njerëz të uritur për tituj dhe për gjithçka”, ka thënë Fernandes.
“E ndiej një gjë të tillë në grupin që e kemi tani, të gjithë duam të fitojmë”.
Fernandes ka arritur ta zë një vend menjëherë në Teatrin e Ëndrrave – duke i shënuar tre gola dhe duke i asistuar katër gola të bashkëlojtarëve në nëntë ndeshjet e tij të zhvilluara që nga transferimi. /Gazeta Express/








