Gjatë rrethimit shumëvjeçar të Sarajevës, kur qyteti ishte pa energji elektrike, ujë dhe ushqim, disa të huaj të pasur gjetën “argëtim” në vrasjen e civilëve. Ky fenomen morbid, i njohur si “Sarajevo Safari”, mbetet një nga episodet më të errëta të agresionit ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe simbol i brutalitetit, heshtjes dhe pandëshkueshmërisë së krimeve të luftës.
Çështja është rikthyer fuqishëm në vëmendjen e publikut falë ish-oficerit të inteligjencës ushtarake të Bosnjës, Edin Subashiq, si dhe gazetarit hulumtues kroat Domagoj Margetiq dhe avokatit të njohur nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq. Ky i fundit ka deklaruar publikisht se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte dijeni për “Sarajevo Safari”, ishte i pranishëm në terren dhe kurrë nuk e raportoi këtë krim.
Në një intervistë për Radiosarajevo.ba, Stojkoviq thekson se Vuçiq gjatë luftës ndodhej në pozicione përreth Sarajevës, në zonat prej nga civilët vriteshin nga snajperistë, dhe se ishte pjesë e njësisë që kontrollonte atë territor. Sipas tij, Vuçiq kishte detyrim ligjor dhe moral të raportonte krimin, por këtë nuk e bëri kurrë.
Stojkoviq shton se ekzistojnë indikacione serioze se Vuçiq kishte rol aktiv në organizimin logjistik të ardhjes së shtetasve italianë, të cilët, sipas dëshmive, paguanin për të marrë pjesë në gjuetinë e civilëve sarajevas. Ai kujton se Vuçiq, pas kthimit nga fronti, u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe dhe si i tillë ishte përgjegjës për organizimin e transportit të vullnetarëve – përfshirë autobusët që, sipas dëshmive, sillnin edhe italianët drejt Sarajevës.
“Sipas ligjit, organizimi i logjistikës për një vepër penale përbën bashkëpunim në krim. Në minimum, Vuçiq ka ndihmuar që ky krim të realizohej,” deklaron Stojkoviq.
Ai thekson se Vuçiq jo vetëm që nuk e raportoi krimin, por sipas tij, e ka fshehur për vite me radhë, çka përbën vepër penale më vete. Stojkoviq thekson se, nëse vërtetohet se Vuçiq ka organizuar transportin, ka qenë i pranishëm në terren ose ka ndihmuar në ndonjë formë, ai mund të ndiqet penalisht si bashkëpunëtor ose mbulues i krimit.
Avokati nga Beogradi e lidh gjithashtu “Sarajevo Safari” me vazhdimësinë politike të Vuçiqit që nga vitet ’90, duke kujtuar deklaratat e tij publike për vrasje masive dhe gjuhën e urrejtjes, të cilat, sipas Stojkoviqit, krijuan justifikim moral dhe politik për krimet e kryera më pas.
Sipas tij, përgjegjësia për “Sarajevo Safari” nuk mund të vihet në vend derisa Vuçiq të jetë president, për shkak të fuqisë që mban dhe frikës së dëshmitarëve. Megjithatë, ai shpreh bindjen se, ashtu si në rastin e Millosheviqit, Mlladiqit dhe Karaxhiqit, edhe ky rast mund të ketë epilog gjyqësor në të ardhmen.
“Krimet e pandëshkuara e kalbin shoqërinë. Një shoqëri nuk mund të jetë e shëndetshme nëse drejtohet nga njerëz që kanë marrë pjesë në krime ose i kanë fshehur ato,” përfundon Stojkoviq.








