40 gra të burgosura në Qendrën Korrektuese në Lipjan po e presin Vitin e ri në burg, edhe aty ka festë.
Gazetare: Florandë Morina
Kanë mbetur pak orë, prej ndërrimit të motmoteve.
E brenda Qendrës Korrektuese në Lipjan, edhe këtë ditë po vazhdojnë të qëndrojnë 40 gra.
Për njërën nga to, kjo është hera e pestë që festën e Vitit të Ri e pret brenda këtyre mureve. Këtu në dhomën e saj, që ngjan në një dhomë të zakonshme gjumit, vetëm diçka mungon. I mungon familja, me të cilën secili në rrethana të zakonshme zgjedh ta kalojë mesnatën e datës 31 dhjetor të çdo viti.
Ani pse e mbyllur, ajo përshkruan atmosferën dhe përgatitjet që të burgosurat këtu bëjnë në nder të festës së Vitit të Ri.
Madje, e mitura e vetme e dënuar në këtë burg, thotë se kujdesen që të duken më bukur këtë natë.
Muzika dhe qejfi në këtë qendër ka nisur disa orë para mesnatës, atëherë kur kalendari vjetërohet edhe për një vit.
E këtë festë, 40 gra e presin në një ambient të ri. Në kuadër të Qendrës Korrektuese në Lipjan, janë 4 pavijone të renovuara, e në të cilat gratë ndahen në bazë të disa kategorive.
Kriteri i qëndrimit të grave bashkë në një pavijon përfshin moshën, veprën penale, e kohëzgjatjen e dënimit.
22 vjeçarja, thotë se hapësira e re ka një mungesë.
Pavarësisht kësaj, në të gjitha dhomat e reja në të cilat janë vendosur këto gra, mbizotëron një fije feste.
Janë elemente zbukuruese që kanë zgjedhur të mbajnë afër, si duket për t’jua kujtuar sadopak shtëpitë e tyre.
Për njërën nga to, qëndrimi këtu, ku ekziston dikush tjetër që ka të drejtën ta hap a mbyll derën e dhomës ku qëndron, kalimi i viteve, i festave e i ngjarjeve të dhimbshme në këtë hapësirë, kanë ndikuar që gjërat ti shohë ndryshe.
Edhe kuzhina, këtë ditë i është lënë në përdorim të burgosurave të cilat janë më të zonjat në përgatitje. Gjithë këto mjete, furrat e enët tjera në kuzhinë janë në duar të atyre që do të përgatisin ushqim e ëmbëlsira edhe për shoqet e burgut.
Furnizimi në kuzhinë, përfshin edhe produkte tjera që zakonisht përdoren nga kuzhinierët e Qendrës.
Edhe plani ditor që përfshin një rutinë bazë, të martën ka ndryshuar. Oraret e caktuara në rregullore, pësojnë ndryshime.
Kështu thotë edhe drejtori i Qendrës Korrektuese të Lipjanit, Arif Beqa.
Beqa pohon se bashkë me stafin janë gati që hapësirën e burgut ta mbushin me festë e grave t’iu mundësohet të realizojnë iniciativat e tyre këtë ditë.
Ndryshe, për Beqën, renovimi i gjithë qendrës ka qenë një prej sukseseve më të mëdha të vitit 2019.
Por, ka një mundësi që të burgosurat në këtë qendër të bëhen bashkë me familjet e tyre. Dhoma e vizitave po qëndron e hapur gjatë ditës, për të pritur familjarët të cilët pritet të takohen me to.
Pikërisht për shkak të festës, shumica e tyre kanë ruajtur të drejtën që e kanë njëherë në javë për të pranuar vizitorë.








