Televizioni T7, në bashkëpunim me GjirafaVideo, vijnë sonte me një program fantastik për natën e ndërrimit të moteve. Për shtatë orë program, i cili nis në orën 19:00, do të ketë muzikë të zgjedhur, humor dhe satirë politike. Ekskluzivisht për këtë program kthehen “Kafeneja Jonë”, “Stupcat” dhe yjet e muzikës shqipe.
Një program i përgatitur me plot dashuri, me humor të zgjedhur dhe këngë, që kanë lënë gjurmë në historinë tonë, vijnë sonte në ekranin e Televizionit T7.
Televizioni T7 dhe GjirafaVideo sjellin për shikuesit një program shumë të pasur: humor, këngë dhe satirë politike.
Festa fillon nga ora 19:00, me një super bashkëprodhim nga T7 dhe GjirafaVideo. Një program special nga Berat Buzhala dhe Shkodran Hoti do t'ju mbajë të mbërthyer para ekranit, për të vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, me emrat më të mirë të muzikës dhe humorit shqiptar.
Seriali “Kafeneja jonë” dhe grupi humoristik “Stupcat” kthehen me episode fantastike, ndërsa nuk do të mungojnë edhe yjet e muzikës shqipe, të cilët pasurojnë programin me kompozimet me të cilat jemi rritur.
Paraprakisht, në orën 17:00, emisioni “Frontal” vjen para shikuesve me një sërë kamerash të fshehura, në grackën e të cilave kanë rënë disa personazhe të njohura të politikës kosovare.
Programi festiv drejtohet nga Berat Buzhala dhe Doresa Rexha, përderisa drejtor i Programit Artistik është Ilir Tolaj. Për aranzhmanet e këngëve është përkujdesur Edon Ramadani. Në programin artistik kthehen edhe kompozitorët e famshëm kosovarë, me perlat e tyre të kënduara nga yjet e këngës shqipe. Valter Lucaj, ndërkaq, është regjisor i programit.
Programi festiv i Televizionit T7 do të vazhdojë edhe më 1 dhe 2 janar me programe ekskluzive, përgatitur enkas për festat e fundvitit dhe shikuesit i presin plot befasi.
Programin mund ta ndiqni në të gjitha platformat televizive, brenda dhe jashtë Kosovës, e po ashtu online në GjirafaVideo.
Mos e humbisni!








