Tajfuni “Phanfone” e ka goditur pjesën qendrore të Filipineve në ditën e Krishtlindjeve, duke sjellë mot të lig për miliona njerëz gjatë sezonit të festave. Mijëra persona janë strehuar në qendra strehimi.
Stuhia i dëmtoi kulmet e shtëpive dhe pemët, ndërsa shumë shtëpi mbeten pa rrymë. Më shumë se 10 mijë njerëz e kaluan natën në shkolla dhe ndërtesa qeveritare, të cilat u përshtatën si qendra strehimi.
“Ishte e frikshme. Xhami i dritares u thye dhe u strehuam nën shkallë”, tha Ailyn Metran, pasi ajo me fëmijën 4 vjeç e kaluan natën në zyrën e Shërbimit Shtetëror të Motit, ku punon burri i saj. Kjo familje më pas u kthye në shtëpi, ku panë se dyshemeja ishte e mbuluar me baltë dhe një dru ishte rrëzuar mbi shtëpi.
Më shumë se 25 mijë persona që ishin nisur drejt shtëpive për mesnatën tradicionale të Krishtlindjeve u bllokuan në porte detare për shkak të ndërprerjes së shërbimit të trageteve. Autoritetet gjithashtu i kanë anuluar shumë fluturime.
Filipinet janë shteti kryesor që përballet me stuhitë që vijnë nga Oqeani Paqësor dhe zakonisht goditet nga 20 stuhi në vit. Sipas një studimi, këto stuhi e dëmtojnë prodhimin ekonomik të vendit për 3 për qind, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.








